“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari, e ky e ka dëgjuar dy herë Hasen ibn Muhamedin, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Ebu Rafiu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më dërgoi mua, Zubejrin e Mikdadin, dhe na tha: “Nisuni dhe shkoni në kopshtin Hah, ku do të gjeni një grua të hipur në deve, e cila mban një letër. Merrjani letrën!” Ne u nisëm dhe u larguam goxha nga Medina, derisa arritëm te kopshti, ku e takuam gruan e hipur në deve dhe i thamë: “Na jep letrën.” Ajo tha: “Unë nuk kam asnjë letër.” Ne i thamë: “Na jep letrën, ose do të të zhveshim (për të të kontrolluar).” Atëherë, ajo e nxori letrën nga lidhësja (e flokut), të cilën ia dërguam të Dërguarit të Allahut ﷺ. Letra ishte nga Hatib ibn Ebu Beltai, dërguar disa banorëve idhujtarë mekas, ku i informonte për disa plane të të Dërguarit të Allahut ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tha: “O Hatib, ç'është kjo?” Ai iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut, mos u ngut të më dënosh, sepse unë kam qenë person i huaj në Mekë, jo prej mesit të tyre. Ndërkaq, muhaxhirët që janë me ty, kanë farefis në Mekë, të cilët ua mbrojnë familjet dhe pasuritë. Prandaj, meqë nuk e gëzoj këtë të drejtë nga ana farefisnore, doja të fitoja përkrahjen e tyre, që të m'i mbrojnë të afërmit e mi. Këtë nuk e kam bërë me synim për të dalë nga feja, e as jam pajtuar me kufrin pas Islamit.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Jua tha të vërtetën.” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, më lejo t'ia pres kokën këtij hipokriti!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ai ka qenë pjesëmarrës në Bedër. E ku e di ti? Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, sepse jua kam falur mëkatet.” Sufjani ka thënë: “Eh, çfarë senedi që qenka!””