“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri pa një palë rroba të reja prej mëndafshi që po i shisnin në treg, andaj i tha Pejgamberit ﷺ: - O i Dërguari i Allahut, sikur t'i blije këto e t'i vishje gjatë festave dhe nëpër takime me delegacionet që të vijnë? - “Këto janë rrobat e atyre që, - ose ka thënë: këto i veshin vetëm ata që, - nuk kanë hise në botën tjetër” , - i tha Pejgamberi ﷺ. Pas një kohe, Pejgamberi ﷺ i dërgoi Omerit një xhybe të mëndafshtë. Omeri shkoi e i tha: - O i Dërguari i Allahut, ti pate thënë: “Këto janë rrobat e atyre që, - ose ka thënë: këto i veshin vetëm ata që, - nuk kanë hise në botën tjetër” , e tani po m'i dërgon mua?! - “T'i shesësh ose t'i shfrytëzosh për diçka tjetër (përveç veshjes) ” , - i tha Pejgamberi ﷺ.”