“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ebu Hibani, e këtij i ka treguar Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ u ngrit ndër njerëz dhe e përmendi marrjen nga plaçka e luftës para se ajo të ndahet, e bëri të madhe shumë çështjen e saj, pastaj tha: “Askush të mos më vijë Ditën e Kiametit duke bartur në qafë ndonjë dele që blegëron, ose ndonjë kalë që hingëllin, e të më thotë: “O i Dërguari i Allahut, më ndihmo!” - e t'i them: “Nuk mund të bëj asgjë për ty, se ta kam kumtuar (me kohë) "; si dhe të mos më vijë duke bartur në qafë ndonjë deve që buluron, e të më thotë: “O i Dërguari i Allahut, më ndihmo!” - e t'i them: “Nuk mund të bëj asgjë për ty, se ta kam kumtuar (me kohë) .” Ose, duke bartur në shpinë ar e argjend, e të më thotë: “O i Dërguari i Allahut, më ndihmo!” - e t'i them: “Nuk mund të bëj asgjë për ty, se ta kam kumtuar (me kohë) .” Po ashtu, të mos më vijë duke bartur në qafë rroba e gjësende, e të më thotë: “O i Dërguari i Allahut, më ndihmo!” - e t'i them: “Nuk mund të bëj asgjë për ty, se ta kam kumtuar (me kohë) .””