“Is'hak ibn Muhamed Ferviu na ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Enesi nga Ibn Shihabi se Malik ibn Evs ibn Hadethani tregon: “Muhamed ibn Xhubejri më përmendi një pjesë të hadithit të Malik ibn Evsit, andaj shkova tek ai dhe e pyeta rreth hadithit në fjalë. Ai më tha: “Një ditë, teksa po qëndroja me familjen time, në mesditë erdhi lajmëtari i Omer ibn Hatabit dhe më tha: “Përgjigjju prijësit të besimtarëve.” Kështu, unë u nisa së bashku me të dhe shkova tek Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilin e gjeta të ulur në një shtrat hasre pa kurrfarë shtroje, të mbështetur në një jastëk prej lëkurës së regjur. E përshëndeta me selam dhe u ula. Ai më tha: “O Malik, disa familje nga fisi yt kanë ardhur këtu, ndërsa unë dhashë urdhër t'u dhurohet një sasi e vogël e të mirave materiale, andaj merri dhe shpërndajua atyre.” Unë iu përgjigja: “O prijës i besimtarëve, sikur t'ia jepje dikujt tjetër këtë detyrë.” Ai më tha: “Merri, or burrë!” Teksa po qëndroja aty, erdhi roja Jerfa dhe tha: “Othmani, Abdurrahman ibn Aufi, Zubejri dhe Sad ibn Ebu Vekasi po kërkojnë leje. T'i lë të hyjnë?” Omeri tha: “Po.” Kështu, ata hynë, dhanë selam dhe u ulën. Jerfai u ul pak, pastaj tha: “(Erdhën) Aliu dhe Abasi. T'i lë të hyjnë?” - Po, - tha Omeri. Ata hynë, dhanë selam dhe u ulën. Abasi tha: “O prijës i besimtarëve, gjyko mes meje dhe këtij, - sepse kishin rënë në mospajtim rreth plaçkës së fisit benu nadir, të cilën Allahu ia kishte dhënë Pejgamberit ﷺ nën pronësi. - Ata që ishin të pranishëm, Othmani me shokët e tij, thanë: “O prijës i besimtarëve, gjyko mes tyre dhe rehatoji.” Omeri u tha: “Qetësohuni pak! Po ju bëj be në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, vallë, a nuk e dini se Pejgamberi ﷺ me fjalët: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka” , e ka pasur për qëllim veten e tij?!” Grupi që ishin të pranishëm thanë: “Po, ashtu ka thënë.” Atëherë Omeri iu drejtua Aliut dhe Abasit: “Po ju bëj be në Allahun, a nuk e dini edhe ju se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka thënë këtë gjë?” Pastaj vazhdoi: “Unë do t'ju tregoj për këtë çështje: “Allahu e ka veçuar të Dërguarin e Vet ﷺ me një pjesë të kësaj plaçke, të cilën nuk ia ka dhënë askujt përveç tij, - pastaj lexoi ajetin: “Çfarëdo që Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij si plaçkë (të marrë) prej tyre, është prej mirësisë së Tij. Ju nuk hipët mbi kuaj e as mbi deve për ta fituar atë, por Allahu u jep pushtet të dërguarve të Vet mbi ata që Ai dëshiron. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Hashr, 6) Pra, kjo plaçkë ka qenë vetëm e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Por, betohem në Allahun se ai asnjëherë nuk e ka kursyer nga ju e as e ka mbajtur vetëm për vete. Ju ka dhënë dhe e ka shpërndarë mes jush, saqë në fund mbeti vetëm kjo pasuri, të cilën Pejgamberi ﷺ e shpenzonte për të siguruar nevojat e familjes së vet për një vit, pastaj, pjesën që tepronte, e linte në shërbim të muslimanëve. Pejgamberi ﷺ kështu ka vepruar tërë jetën. Po ju bëj be në Allahun, a nuk e dini ju këtë?” Ata thanë: “Po.” Pastaj iu drejtua Aliut dhe Abasit: “Po ju bëj be në Allahun, a nuk e dini ju këtë?” Omeri vazhdoi: “Pastaj, Allahu ia mori shpirtin të Dërguarit të Vet ﷺ, ndërsa Ebu Bekri tha: “Unë jam pasardhësi i Pejgamberit ﷺ.” E mori atë pasuri dhe punoi me të siç kishte punuar Pejgamberi ﷺ. Allahu e di mirë se ai ka qenë i sinqertë, bamirës e i matur me atë pasuri dhe pasues i së vërtetës. Pastaj Allahu ia mori shpirtin Ebu Bekrit, ndërsa unë u bëra pasues i Ebu Bekrit, andaj e mora atë pasuri për dy vjet të hilafetit tim dhe punova me të siç ka punuar Pejgamberi ﷺ dhe Ebu Bekri. Allahu e di se unë jam i sinqertë, bamirës dhe i matur me atë pasuri dhe pasues i së vërtetës. Pastaj, më erdhët ju të dy të bisedoni me mua, ndërsa kërkesat dhe çështjet tuaja janë të njëjta. Ti, o Abas, erdhe të kërkosh pjesën tënde që të takon nga biri i vëllait tënd. Ndërsa ky, - aludonte në Aliun, - erdhi të kërkojë pjesën e bashkëshortes së vet që i takon nga babai i saj. Unë ju thashë: “Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka.” Kur m'u mbush mendja që t'jua jap juve, thashë: “Nëse dëshironi, po jua jap juve, por me kusht që të më premtoni në Allahun se do të punoni me të si ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ e Ebu Bekri dhe si kam punuar unë që kur jam bërë halife.” Ju thatë: “Po, na jep neve.” Rrjedhimisht, jua dhashë. Po ju bëj be në Allahun, a ua kam dhënë këtyre me këtë kusht? - Po, - thanë grupi. Pastaj iu drejtua Aliut dhe Abasit: “Po ju bëj be në Allahun, a jua kam dhënë me këtë kusht?” - Po, - thanë ata. Omeri u tha: “E si pra, po kërkoni gjykim tjetër prej meje? Betohem në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, se nuk do të gjykoj ndryshe. Nëse nuk arrini t'i bëni ballë kushtit (që keni pranuar), ma ktheni mua dhe unë e kryej këtë punë.””