“Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim ibn Asim Kelbiu, - e hadithin e Kasimit e mbaj në mend më mirë, - se Zehdemi tregon: “Teksa po rrinim tek Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sollën një pulë. Aty ishte edhe një burrë nga fisi tejmullah, i racës së kuqe, 1 që dukej sikur ishte prej të çrobëruarve. Ebu Musai e ftoi të hante me ne, por, meqë ai e kishte parë pulën duke ngrënë diçka të neveritshme, ishte betuar se s'do të hante. Ebu Musai tha: “Afrohuni t'ju rrëfej diçka në lidhje me këtë: unë, së bashku me disa pjesëtarë të fisit eshari, shkuam te Pejgamberi ﷺ t'i kërkojmë të na marrë me vete (për në luftë), por ai tha: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju marr, por as kam me se ju bart.” Mirëpo, kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i erdhi një plaçkë e luftës me një tufë devesh, ai pyeti rreth nesh dhe tha: “Ku janë esharinjtë?” Pastaj urdhëroi të na jepen pesë tufa devesh gungëbardha (të majme). Kur u nisëm, thamë: “Nuk do të na jepet bereqet, për shkak të asaj që bëmë.” Andaj, u kthyem dhe i thamë: “Ne të patëm kërkuar të na marrësh me vete, por ti u betove se nuk do të na marrësh. Vallë, ke harruar?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Nuk ju mora unë, por Allahu jua mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, kur betohem për diçka, ndërkohë, me lejen e Allahut shoh se e kundërta është më e mirë, atëherë e veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.””