“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Zuhejri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Allahu ia dha të Dërguarit të Allahut ﷺ në pronësi prenë e fisit hevazin dhe Pejgamberi ﷺ filloi t'u japë disa burrave kurejshë nga njëqind deve, disa ensarë thanë për Pejgamberin ﷺ: “Allahu e faltë të Dërguarin e Allahut ﷺ: kurejshëve po u jep, kurse neve jo, ndërkohë shpatat tona ende po pikojnë gjak të tyre!” Kur i treguan Pejgamberit ﷺ për fjalët e tyre, ai dërgoi dikë tek ensarët për t'i tubuar nën një tendë të lëkurës. Askënd tjetër nuk e la aty me ta. Kur u tubuan, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi dhe u tha: - “Ç'është puna e disa fjalëve, që më kanë arritur për ju?” - Të mençurit tanë nuk thanë gjë, por disa të rinj thanë: “Allahu e faltë të Dërguarin e Allahut ﷺ: kurejshëve po u jep, kurse ensarëve jo, ndërkohë shpatat tona ende po pikojnë gjak të tyre! - thanë të diturit nga mesi i tyre. Pejgamberi ﷺ tha: “Unë disave u jap, për shkak se rishtazi kanë dalë nga mosbesimi. A nuk jeni të kënaqur që njerëzit e tjerë të shkojnë me pasuri, ndërsa ju të ktheheni në shtëpitë tuaja me të Dërguarin e Allahut ﷺ? Betohem në Allahun se, me çfarë ktheheni ju është më e mirë se me çfarë kthehen ata.” Ensarët thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut, jemi të kënaqur!” Pejgamberi ﷺ u tha: “Pas meje do të përballeni me anashkalim të të drejtave tuaja, andaj duroni derisa ta takoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij te Hauzi.” Enesi thotë: “Por, ja që ne nuk duruam.””