“Abdan ibn Othmani na ka thënë: Më ka rrëfyer babai im, e ky nga Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Amër ibn Mejmuni se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ falej në Qabe, pranë tij ndodheshin ca idhujtarë kurejshë në një ndejë, kur papritmas shkoi Ukbe ibn Ebu Muajti me ca zorrë të devesë dhe ia hodhi Pejgamberit ﷺ në shpinë. Pejgamberi ﷺ qëndronte në sexhde pa e ngritur kokën, derisa Fatimja vajti t'ia largojë nga shpina dhe u lut kundër atyre që e bënë këtë gjë. (Pasi e ngriti kokën) Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, shkatërroji këta kurejshë ! O Allah, shkatërroje Ebu Xhehël ibn Hishamin, Utbe ibn Rabian, Shejbe ibn Rabian, Ukbe ibn Ebu Muajtin dhe Umeje ibn Halefin - ose ka thënë: Ubej Ibn Halefin !” Të gjithë këta të cilëve Pejgamberi ﷺ ua përmendi emrat i kam parë të vriten ditën e Bedrit e të hidhen në pus, përveç Umejes, - ose ka thënë: Ubejit, - i cili ka qenë burrë i madh e i shëndoshë dhe, gjatë tërheqjes, iu këputën gjymtyrët para se ta hidhnin në pus.””