“Ahmed ibn Othman ibn Hakimi na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, i biri i Ebu Is'hakut, e këtij i ka treguar babai i tij Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ deshi të shkojë në umre, dërgoi një delegat te banorët e Mekës për t'u kërkuar leje të hyjë në Mekë, por ata i kushtëzuan që të mos qëndrojë më shumë se tri net, të hyjnë me shpata në këllëfe dhe të mos thërrasë në Islam askënd prej tyre.” Ali ibn Ebu Talibi filloi të shkruajë kushtet e vendosura mes tyre, ku shkroi: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut ﷺ, ka rënë dakord që...” Por, idhujtarët thanë: “Sikur të të njihnim për të Dërguar të Allahut, nuk do të të pengonim (për të hyrë), madje do të të pasonim, andaj shkruaje: “Muhamedi, i biri i Abdullahut, ka rënë dakord që...” Pejgamberi ﷺ u tha: “Unë, për Allahun, jam Muhamed ibn Abdullahu dhe unë, për Allahun, jam i Dërguari i Allahut.” Meqë Pejgamberi ﷺ nuk dinte shkrim, i tha Aliut: “Fshije (pjesën) : i Dërguari i Allahut!” - Jo, betohem në Allahun se nuk mund ta fshij kurrë, - iu përgjigj Aliu. - “Më trego ku është!” - i tha Pejgamberi ﷺ. Aliu i tregoi dhe Pejgamberi ﷺ e fshiu me dorën e vet. Pasi hyri dhe kaloi afati i caktuar, idhujtarët vajtën tek Aliu dhe i thanë: “Thuaji shokut tënd të dalë prej këtu (sepse afati ka përfunduar). Aliu shkoi dhe i tregoi të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili tha: “Po” , dhe doli (nga Meka).””