“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën kur ndodhi eklipsi i Diellit, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, mori tekbir (për të falur namaz) dhe lexoi gjatë (në kijam). Pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë në të. U ngrit dhe tha: “Semiallahu limen hamideh (Allahu i përgjigjet atij që e falënderon) ” , dhe vazhdoi të qëndrojë në këmbë siç ishte më parë, ku sërish lexoi gjatë, por më shkurt se herën e parë. Pastaj ra në ruku, ku qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë dhe ra në sexhde, ku qëndroi gjatë. Njëjtë veproi edhe në rekatin e fundit dhe dha selam, ndërkohë Dielli ishte shfaqur tërësisht. Pastaj u ligjëroi njerëzve dhe, për eklipsin e Diellit dhe Hënës, u tha: “Ato janë argumente të Allahut. Eklipsi i tyre nuk ndodh për vdekjen ose lindjen e ndokujt, andaj, kur të shihni se (eklipsi) po ndodh, nxitoni me frikë për në namaz.””