“Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja. [t]: Halife më ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi dhe Hishami, e këtyre u ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Enes ibn Maliku se Malik ibn Saësai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka rrëfyer: “Një natë te Qabeja, ndërkohë që isha as fjetur e as zgjuar, erdhi një burrë mes dy të tjerëve dhe më sollën një enë të artë të mbushur me urtësi dhe besim. Ma çanë gjoksin nga trakeja deri në diafragmë, brendësinë ma lanë me ujë Zemzemi, pastaj e mbushën me urtësi dhe iman. Më sollën një kafshë të bardhë, më të vogël se mushka e më të madhe se gomari, (që quhej) Burak. Dhe kështu u nisëm së bashku me Xhibrilin. Me të arritur në qiellin e dynjasë, Xhibrili i tha rojës së qiellit: - Hape! - Kush është? - tha roja. - Xhibrili. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - tha roja. - Po, - iu përgjigj Xhibrili. - Mirë se ka ardhur! Eh, çfarë vizitori i mirë që na paska ardhur! - tha roja. Ndërkohë, shkova tek Ademi dhe e përshëndeta me selam, i cili më tha: “Mirë se ke ardhur, o bir e pejgamber!” Pastaj shkuam në qiellin e dytë. Aty na thanë: - Kush është? - Xhibrili, - iu përgjigj Xhibrili ﷺ. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi ﷺ. - I është dërguar shpallja? - pyeti roja. - Po, - iu përgjigj Xhibrili. - Mirë se ka ardhur! Eh, çfarë vizitori i mirë që na paska ardhur! - tha roja. Aty shkuam tek Isai dhe Jahjai, të cilët më thanë: “Mirë se ke ardhur, o vëlla e pejgamber!” Pastaj shkuam në qiellin e tretë. Aty na thanë: - Kush është? - Xhibrili, - iu përgjigj Xhibrili ﷺ. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - pyeti roja. - Po, - iu përgjigj Xhibrili. - Mirë se ka ardhur! Eh, çfarë vizitori i mirë që na paska ardhur! - tha roja. Aty shkova te Jusufi dhe e përshëndeta. Ai më tha: “Mirë se erdhe, o vëlla e pejgamber!” Pastaj shkuam në qiellin e katërt. Aty na thanë: - Kush është? - Xhibrili, - iu përgjigj Xhibrili ﷺ. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi ﷺ. - I është dërguar shpallja? - pyeti roja. - Po, - iu përgjigj Xhibrili. - Mirë se ka ardhur! Eh, çfarë vizitori i mirë që na paska ardhur! - tha roja. Aty shkova tek Idrisi dhe e përshëndeta. Ai më tha: “Mirë se erdhe, o vëlla e pejgamber!” Pastaj shkuam në qiellin e pestë. Aty na thanë: - Kush është? - Xhibrili, - iu përgjigj Xhibrili ﷺ. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - tha roja. - Po, - iu përgjigj Xhibrili. - Mirë se ka ardhur! Eh, çfarë vizitori i mirë që na paska ardhur! - tha roja. Aty shkuam te Haruni dhe e përshëndeta. Ai tha: “Mirë se vjen, o vëlla e pejgamber!” Pastaj shkuam në qiellin e gjashtë. Aty na thanë: - Kush është? - Xhibrili, - iu përgjigj Xhibrili ﷺ. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? Mirë se ka ardhur! E, çfarë vizitori i mirë që na paska ardhur! - tha roja. Aty shkova te Musai dhe e përshëndeta. Ai më tha: “Mirë se vjen, o vëlla e pejgamber!” Kur u largova nga aty, ai filloi të qajë. E pyetën: “Përse po qan?” Ai tha: “O Zot, nga umeti i këtij djaloshi, që është dërguar pas meje, do të hyjnë në Xhenet më shumë sesa nga umeti im.” Pastaj shkuam në qiellin e shtatë. Aty na thanë: - Kush është? - Xhibrili, - iu përgjigj Xhibrili ﷺ. - E kush është me ty? - pyeti roja. - Muhamedi, - tha Xhibrili. Roja ia ktheu: “I është dërguar shpallja? Mirë se ka ardhur! Eh, çfarë vizitori i mirë që na paska ardhur!” Aty shkova tek Ibrahimi dhe e përshëndeta. Ai më tha: “Mirë se erdhe, o bir e pejgamber!” Pastaj më ngritën te Bejtu Mamuri 1 , për të cilën e pyeta Xhibrilin, e ai më tha: “Kjo është Bejtu Mamuri. Çdo ditë, aty falen shtatëdhjetë mijë melekë dhe, pasi dalin, nuk kthehen më kurrë dhe ajo është hera e fundit që hyjnë.” Pastaj m'u shfaq Sidretu Muntehaja, frutat e së cilës dukeshin sikurse qypet e Hexherit (emër vendi) , ndërsa gjethet sikur veshë elefanti. Te rrënjët e saj ndodheshin katër lumenj: dy lumenj të fshehtë dhe dy të tjerë të dukshëm. Kur e pyeta Xhibrilin, më tha: “Dy të fshehtët derdhen në Xhenet, ndërsa dy të dukshmit janë Nili dhe Eufrati.” Më pas m'u obliguan pesëdhjetë namaze. U nisa të kthehem derisa arrita te Musai, i cili më pyeti: “Çfarë bëre?” I thashë: “Më janë obliguar pesëdhjetë namaze.” Ai më tha: “Unë i njoh njerëzit më mirë se ti dhe kam vuajtur shumë nga benu israilët. Umeti yt nuk mund ta përballojë, andaj kthehu te Zoti yt dhe kërko prej Tij (të ta pakësojë) .” Unë u ktheva dhe Ai m'i bëri dyzet namaze. Pastaj ndodhi e njëjta gjë dhe m'i bëri tridhjetë. Sërish ndodhi e njëjta gjë dhe Ai m'i bëri njëzet. Sërish e njëjta dhe Ai m'i pakësoi në dhjetë. Kur shkova te Musai, m'i tha të njëjtat gjëra, ndaj Allahu m'i bëri pesë namaze. Me të shkuar te Musai, më pyeti: “Çfarë bëre?” I thashë: “M'i pakësoi në pesë.” Ai sërish m'i tha të njëjtat gjëra, por unë i thashë: “Me kaq po ndalem.” Atëherë u dëgjua një thirrje: “Unë e vendosa obligimin Tim e ua lehtësova robërve të Mi dhe të mirën e shpërblej dhjetëfish.” Hemami transmeton nga Katadja, e ky nga Haseni, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ (se ka thënë): "Në Bejtu Mamur.””