“Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Fezariu, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdullah ibn Selamit i arriti lajmi për shpërnguljen e të Dërguarit të Allahut ﷺ në Medinë, erdhi dhe i tha: “Dua të të pyes për tri gjëra, të cilat i di vetëm një pejgamber.” Pastaj vazhdoi: “Cila është shenja e parë e shenjave të Kiametit? Cili është ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit? Si i ngjason fëmija babait dhe si u ngjason dajallarëve?” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Xhibrili më lajmëroi pak më parë për këtë.” Abdullahu tha: “Ai është armiku i hebrenjve nga radhët e melekëve.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shenja e parë prej shenjave të Kiametit është një zjarr, që do t'i tubojë njerëzit nga lindja në perëndim. Ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit është shtesa e mëlçisë së balenës. Ndërkaq, sa i përket ngjasimit te fëmija, kur burri bën marrëdhënie me gruan dhe sperma e tij ia parakalon spermës së saj, fëmija i ngjason burrit, në të kundërtën, i ngjason gruas.” Abdullahu tha: “Dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut.” Pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut, hebrenjtë janë popull shpifës. Nëse marrin vesh për konvertimin tim në Islam para se t'i pyesësh, ata do të shpifin ndaj meje.” Kur hebrenjtë erdhën, Abdullahu hyri brenda dhe i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë burri është Abdullah ibn Selami në mesin tuaj?” Ata thanë: “Më i dituri dhe i biri i më të diturit ndër ne, si dhe më i miri dhe i biri i më të mirit ndër ne.” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë nëse Abdullahu do ta pranonte Islamin?” Ata thanë: “Allahu e ruajttë nga kjo gjë!” Atëherë Abdullahu doli para tyre dhe tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Ata thanë: “Ai është më i keqi dhe i biri i më të keqit ndër ne”, - dhe filluan ta ofendojnë në nderin e tij.””