“Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Ameshi, e këtij i ka treguar Ebu Salihu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar do të thotë: - O Adem! - Po të përgjigjem me shumë kënaqësi, mirësia është në Duart e Tua, - iu përgjigj Ademi. - Nxirre (ndaje prej pasardhësve të tu) grupin e Zjarrit, - i thotë Allahu. - E cilët janë grupi i Zjarrit? - pyet Ademi. - Në çdo një mijë, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë (janë banorë të Zjarrit) , - i thotë Allahu Fuqiplotë. Atë ditë, edhe fëmija do të thinjet: “... Çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t'i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Haxh, 2) Të pranishmit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, e cili nga ne është ai i vetmi (që do të hyjë në Xhenet nga mesi i një mijë njerëzve).” Ai u tha: “Po ju përgëzoj se një është prej jush, ndërsa një mijë prej jexhuxhëve dhe mexhuxhëve. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se shpresoj që ju do të jeni çereku i banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir. Pastaj ai tha: “Shpresoj se do të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir. Së treti, Pejgamberi ﷺ tha: “Shpresoj se ju do të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë përsëri tekbir dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Në mesin e njerëzve, ju (banorët e Xhenetit) jeni sikurse një qime e zezë në lëkurën e një kau të bardhë ose si një qime e bardhë në lëkurën e një kau të zi .””