“Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Ejub Sehtijani dhe Kethir ibn Kethir ibn Mutalib ibn Ebu Vedaje, të dy e plotësojnë njëri-tjetrin, nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gratë, përdorimin e fundit (të grave), për herë të parë e kanë marrë (si traditë) prej nënës së Ismailit, e cila kishte veshur një fund për të mbuluar përparësitë e saj kundrejt Sarës. Pastaj, Ibrahimi ﷺ e solli atë dhe të birin e saj, Ismailin, i cili ende ishte foshnjë në gji, dhe i la në pjesën e sipërme të Qabesë, afër një peme të madhe, mbi burimin e (ardhshëm të) Zemzemit. Atëkohë, në Mekë nuk kishte njeri dhe nuk kishte ujë. Kështu, Ibrahimi i la aty, e bashkë me ta ua la një shportë me hurma dhe një enë me ujë. Kur nisi të kthehej nga kishte ardhur, nëna e Ismailit e ndoqi dhe iu drejtua: “O Ibrahim, ku po shkon e po na lë ne në këtë luginë të shkretë, pa njerëz dhe pa asgjë tjetër?!” Këto fjalë ia përsëriti disa herë, por Ibrahimi nuk kthehej aspak. Atëherë, ajo i tha: “Vallë, Allahu të ka urdhëruar ta bësh këtë?” Ibrahimi i tha: “Po.” Ajo ia ktheu: “E po, Ai nuk do të na humbasë”, - dhe u kthye. Ibrahimi vazhdoi rrugën derisa vajti te Kodrina e Vogël, ku më nuk e shihnin, u kthye nga ana e Qabesë, i ngriti duart dhe u lut me këto fjalë: “O Zoti ynë, unë kam vendosur disa pasardhës të mi në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Sate të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e dikujt prej njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ta dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Ibrahim, 37) Nëna e Ismailit vazhdoi t'i japë gji Ismailit dhe të pijë ujë derisa u harxhua uji që ishte në enë. Kështu, ajo filloi të ndiejë etje, e edhe i biri. Ajo e shikonte të birin tek përpëlitej, - ose ka thënë: rrokullisej, - dhe, nga mërzia për të mos e parë në atë gjendje, u nis dhe shkoi në kodrinën Safa, e cila ishte kodra më e afërt. Hipi në të dhe filloi të shikojë nga lugina në mos shihte ndokënd, por nuk pa njeri. Kështu, u lëshua nga Safa dhe, me të arritur në luginë, e ngriti pak mantelin e saj dhe filloi të vrapojë sikurse të ishte e lodhur, derisa e përshkoi luginën dhe shkoi në kodrinën tjetër, në Merva. Hipi në të dhe shikoi në mos shihte ndonjë njeri, por nuk pa askënd. Kështu veproi shtatë herë. Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pra, ky është vrapimi mes dy kodrinave që e bëjnë njerëzit (gjatë haxhit ose umrës) .” Me të arritur në Merva (në herën e fundit), dëgjoi një zë dhe tha: “Hesht!” - duke iu drejtuar vetvetes. Pastaj u ndal të dëgjonte me vëmendje, dhe sërish e dëgjoi zërin e mëparshëm. Atëherë tha: “Të dëgjova! Ke diçka për të më ndihmuar?” Dhe, ja, një melek te burimi i Zemzemit po gërmonte tokën me thembër, - ose ka thënë: me krah, - derisa filloi të burojë uji. Ajo, në këtë moment, filloi ta zgjerojë gropën me duar dhe merrte ujë me grushte për ta derdhur në enën e ujit, ndërsa uji gufonte pas çdo nxjerrjeje. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit! Sikur ta linte Zemzemin, - ose ka thënë: sikur të mos merrte Zemzem me grushte, - do të shndërrohej në krua që rrjedh.” Ajo piu ujë dhe i dha gji të birit. Meleku i tha: “Mos kini frikë nga humbja, sepse kjo është Shtëpia e Allahut, të cilën do ta ndërtojë ky djalosh me babanë e vet. Allahu nuk i humb kujdestarët e saj (Qabesë).” Atëkohë, Qabeja ka qenë e ngritur mbi sipërfaqe të tokës dhe, kur bëheshin vërshimet, merrnin me vete çdo gjë në të djathtë dhe të majtë të saj. Nëna e Ismailit qëndroi në këtë gjendje, derisa një familje e fisit xhurhum, e cila po kalonte nëpër atë pjesë, të ardhur nga rruga e Kedasë, u ndalën poshtë Mekës. Me të parë një shpend që sillej, thanë: “Ai shpend po sillet mbi ujë, por ne kemi tash e sa kohë që vijmë në këtë luginë dhe asnjëherë nuk ka pasur ujë!” Kështu, dërguan një ose dy persona (për të parë nëse kishte ujë). Kur arritën atje, panë se kishte ujë dhe u kthyen e i treguan karvanit, të cilët erdhën, - dhe e gjetën nënën e Ismailit pranë ujit. - I thanë: “Vallë, a na lejon të vendosemi këtu te ti?” Ajo u tha: “Po, por, nuk keni hise në këtë ujë.” Ata i thanë: “Në rregull.” Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëna e Ismailit e pranoi këtë, sepse dëshironte të kishte shoqëri.” Ata u vendosën aty dhe dërguan dikë ta thërrasë tërë familjen e tyre, të cilët u vendosën në atë vend dhe më vonë ndërtuan shtëpi. Djaloshi (Ismaili) u rrit dhe prej tyre e mësoi gjuhën arabe. Kur arriti moshën e pjekurisë, u bë i pashëm, gjë që atyre u pëlqeu dhe vendosën ta martojnë me një vajzë nga mesi i tyre. Nëna e Ismailit vdiq dhe, pasi Ismaili u martua, Ibrahimi erdhi të shikojë gjendjen e familjes së vet, por nuk e gjeti Ismailin aty. E pyeti bashkëshorten e tij, e ajo i tha: “Ka dalë të na gjejë ushqim.” Pastaj e pyeti rreth jetesës dhe mirëqenies së tyre. Ajo i tha: “Nuk ka më keq, jemi në gjendje mjerimi e vështirësie" - dhe vazhdoi t'i ankohej. Ai iu drejtua: “Kur të vijë bashkëshorti, përshëndete nga unë dhe thuaji le ta ndërrojë pragun e derës.” Me të ardhur, Ismaili kuptoi se diçka kishte ndodhur, andaj pyeti: “Vallë, ka qenë dikush këtu?” - Po, - iu përgjigj bashkëshortja (dhe vijoi): - erdhi një burrë i vjetër kështu e kështu dhe pyeti për ty. Unë i tregova. Pastaj pyeti rreth jetesës sonë dhe unë i tregova për gjendjen tonë të vështirë dhe të mjerueshme. Ismaili i tha: “A të la ndonjë porosi?” Ajo iu përgjigj: “Po, më tha të të përshëndes dhe të të them ta ndërrosh pragun e shtëpisë.” Ismaili i tha: Ai ka qenë babai im, i cili më paska porositur të të shkurorëzoj, andaj shko te familja jote.” Kështu, e ndau gruan e tij dhe u martua me një vajzë tjetër nga po ai fis. Pas njëfarë kohe, Ibrahimi u kthye, por sërish nuk e gjeti Ismailin aty. Shkoi te bashkëshortja e Ismailit dhe e pyeti për të, e në atë rast ajo i tha: “Ka dalë të na gjejë ushqim.” - Si jeni ju? - e pyeti Ibrahimi dhe vazhdoi ta pyesë rreth jetesës dhe mirëqenies së tyre. - Jemi shumë mirë dhe në rehati, - iu përgjigj bashkëshortja e Ismailit, pastaj e falënderoi Allahun për gjendjen e tyre. - Me se ushqeheni? - pyeti Ibrahimi. - Me mish. - Çfarë pini? - pyeti ai. - Ujë. - O Allah, jepu bereqet në mish dhe ujë! - u lut Ibrahimi ﷺ. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atëkohë, nuk posedonin drithëra. Sikur të kishin, do të lutej edhe për to.” Përdorimi i këtyre të dyjave (në mënyrë të vazhdueshme), i bën dëm njeriut, përveç banorëve të Mekës (për shkak të duasë së Ibrahimit ﷺ). Ibrahimi i tha: “Kur të vijë bashkëshorti yt, përshëndete nga unë dhe porosite ta mbajë pragun e shtëpisë.” Ismaili, me t'u kthyer në shtëpi, pyeti: “Mos ka qenë ndokush?” Ajo i tha: “Po, një burrë i moshuar e i hijshëm, - dhe vazhdoi ta lavdërojë, pastaj tha: - i cili më pyeti për ty. Unë i tregova, pastaj më pyeti për jetesën tonë dhe unë i tregova që kemi mirëqenie.” Ismaili i tha: “Të la ndonjë porosi?” Ajo iu përgjigj: “Po, të ka përshëndetur ty dhe të ka thënë ta mbash pragun e shtëpisë.” Ismaili ia ktheu: “Ai ka qenë babai im, ndërsa ti je pragu. Më paska porositur të të mbaj ty.” Pas njëfarë kohe, Ibrahimi vajti sërish dhe e gjeti Ismailin nën hijen e pemës, në afërsi të Zemzemit, duke mprehur një shtizë. Kur e pa, Ismaili u ngrit dhe të dy u përshëndetën siç përshëndetet babai me të birin dhe i biri me babanë. Pastaj i tha: - O Ismail, Allahu më ka urdhëruar diçka. - Vepro atë që Allahu të ka urdhëruar, - i tha Ismaili. - Do të më ndihmosh (edhe ti)? - e pyeti Ibrahimi. - Do të të ndihmoj. - Allahu më ka urdhëruar të ndërtoj një shtëpi në këtë vend, - tha Ibrahimi dhe bëri me dorë nga një vend i ngritur nga toka. Atëherë, i ngritën themelet e Shtëpisë (Qabesë): Ismaili i sillte gurët, ndërsa Ibrahimi i vendoste në mur. Kur muri u ngrit shumë, Ismaili i solli një gur, në të cilin Ibrahimi hipte për të vazhduar ndërtimin, ndërsa Ismaili ia afronte gurët. Duke punuar, thoshin: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127) Kështu, vazhduan ta ndërtonin dhe të silleshin rreth Shtëpisë, duke thënë: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127)”