“Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Amir Abdulmelik ibn Amri, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Nafiu, e ky nga Kethir ibn Kethiri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur në familjen e Ibrahimit ndodhi ajo që ndodhi, ai e mori Ismailin me të ëmën e tij dhe një shportë me pak ujë. Nëna e Ismailit pinte ujë që t'i jepte gji fëmijës së vet dhe, me të arritur në Mekë, Ibrahimi i la të dy nën një pemë dhe u nis të kthehej për në shtëpi. Nëna e Ismailit e ndoqi dhe, kur arritën në Keda, e thirri nga mbrapa: “O Ibrahim, me kë po na lë?” Ai tha: “Me Allahun.” Ajo ia ktheu: “Jam e kënaqur me Allahun, pra.” Nëna e Ismailit u kthye dhe pinte ujë nga ena në shportë për t'i dhënë gji foshnjës së vet. Por, kur uji u harxhua, ajo tha me vete: “Të shkoj të shikoj mos po gjej ndokënd.” Kështu, ajo shkoi dhe u ngjit mbi kodrinën Safa, shikoi mos gjente ndonjë njeri, por nuk gjeti askënd. Kur arriti në luginë, filloi të vrapojë deri në Merva. Në këtë mënyrë u soll disa herë, pastaj tha: “Të shkoj të shoh si është fëmija.” Kur shikoi, pa se ai ende ishte në gjendjen e mëparshme: duke dënesur për vdekje. Ajo nuk mund ta shihte në këtë gjendje, andaj tha me vete: “Të shkoj të shoh mos po gjej ndokënd.” Shkoi në Safa dhe shikoi andej-këndej, por nuk pa askënd. Kështu i bëri shtatë xhiro, pastaj tha: “Të shkoj të shoh fëmijën. Papritmas dëgjoi një zë dhe i tha: “Më ndihmo, nëse posedon sadopak mirësi.” Aty ishte Xhibrili, i cili e nguliti thembrën e vet në tokë, sakaq uji shpërtheu. Nëna e Ismailit u habit dhe filloi të gërmojë (përreth burimit). Ebu Kasimi (Pejgamberi) ﷺ ka thënë: “Sikur ta linte, uji do të rridhte.” Kështu, nëna e Ismailit filloi të pijë ujë dhe t'i japë gji foshnjës së vet. Disa pjesëtarë të fisit xhurhum kaluan pranë luginës dhe vërejtën një shpend (duke u sjellë në qiell) e iu duk si diçka e pazakontë, andaj thanë: “Ky shpend sillet vetëm mbi ujë.” Kështu, dërguan një vëzhgues, i cili pa se aty afër kishte ujë dhe u kthye t'i lajmërojë të tjerët. Ata shkuan te nëna e Ismailit dhe i thanë: “Oj nëna e Ismailit, a na lejon të banojmë me ty?” (Ajo pranoi.) Kur i biri i saj, Ismaili, arriti moshën e pjekurisë, u martua me një vajzë të fisit xhurhum. Ndërkohë, Ibrahimi vendosi të shkojë tek ata dhe i tha gruas së vet: “Po shkoj të shoh gjendjen e atyre që i kam lënë (Ismailit dhe nënës së tij).” Kështu, vajti (te shtëpia e Ismailit), i përshëndeti banorët e saj dhe pyeti: “Ku është Ismaili?” Bashkëshortja e Ismailit iu përgjigj: “Ka shkuar në gjueti.” Pastaj i tha: “Kur të kthehet, porosite dhe thuaji: “Ndërroje pragun e shtëpisë.” Me t'u kthyer Ismaili, gruaja i tregoi ç'kishte ngjarë dhe ai i tha: “Për ty qenka fjala, andaj shko te familja jote (je e shkurorëzuar).” Sërish Ibrahimi vendosi të shkojë tek ata dhe i tha gruas së vet: “Po shkoj të shoh gjendjen e atyre që i kam lënë.” Kështu, vajti (te shtëpia e Ismailit), i përshëndeti banorët e saj dhe pyeti: “Ku është Ismaili?” Bashkëshortja e Ismailit iu përgjigj: “Ka shkuar në gjueti.” Pastaj e pyeti: “Vallë, pse nuk qëndron të hash e të pish diçka?” Ibrahimi i tha: “Me se ushqeheni dhe çfarë pini?” Ajo i tha: “Ushqimi ynë është mishi, ndërsa pija jonë është uji.” Atëherë, Ibrahimi u lut: “O Allah, jepu bereqet në ushqimin dhe pijen e tyre!” Ebu Kasimi (Pejgamberi) ﷺ ka thënë: “ (I kaploi) bereqeti i lutjes së Ibrahimit ﷺ.” Së treti, Ibrahimi vendosi të shkojë sërish dhe i tha familjes së vet: “Po shkoj të shoh gjendjen e atyre që i kam lënë.” Kur vajti, e takoi Ismailin mbrapa Zemzemit, teksa po e mprehte majën e një shtize, dhe i tha: “O Ismail, Zoti yt më ka urdhëruar të ndërtoj një shtëpi për ta adhuruar Atë.” Ismaili i tha: “Bindju Zotit tënd.” - Ai më ka urdhëruar që edhe ti të më ndihmosh në ndërtim, - i tha Ibrahimi. - Atëherë, ashtu do të veproj, - iu përgjigj Ismaili. Kështu, u ngritën dhe, teksa Ibrahimi e ndërtonte shtëpinë, Ismaili ia afronte gurët. Gjatë punimeve thoshin: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127) Kjo vazhdoi derisa muret u ngritën dhe plaku (Ibrahimi ﷺ) u dobësua e nuk mundi t'i ngrinte gurët, andaj hipi mbi gurin e Mekamit 1 , ndërsa Ismaili i afronte gurë, e, ata në vazhdimësi thoshin: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127)”