“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Urve tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruan e Pejgamberit ﷺ: “Çfarë mendon për ajetin: “Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan (u hamendën) se do të shpalleshin gënjeshtarë (nga populli i tyre)...”, (Jusuf, 110) ose, do të braktiseshin (nga Allahu Fuqiplotë)? - Përkundrazi, populli i tyre i shpalli gënjeshtarë, - tha Aishja. - Për Allahun, ata ishin plotësisht të bindur se populli i tyre i ka përgënjeshtruar, nuk ka qenë vetëm hamendje, - tha Urve. - O Ureje (Urve), ata kanë qenë plotësisht të bindur se populli i ka përgënjeshtruar, - tha Aishja. - Atëherë, ndoshta ajeti e ka kuptimin se do të braktiseshin? - pyeti Urve sërish. - Allahu na ruajttë! Pejgamberët asnjëherë nuk mendonin diçka të tillë për Zotin e tyre. Ndërkaq, sa i përket këtij ajeti, është fjala për pasuesit e pejgamberëve, të cilët kishin besuar Zotin e tyre dhe pejgamberëve të tyre, por sprova u zgjati shumë dhe u vonua ndihma ndaj tyre, saqë u bënë pesimistë nga pjesa tjetër e popullit që i përgënjeshtronin. Kështu, kur pejgamberët menduan se këta pasuesit e tyre i kanë përgënjeshtruar, u erdhi ndihma e Allahut. Imam Buhariu ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut...” (Jusuf, 87)”