“Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Husajni, e ky nga Shekiku se Mesruku tregon: “E pyeta Umu Rumanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nënën e Aishes, për kohën kur qenë përhapur shpifjet rreth Aishes, e në atë rast ajo tha: “Teksa po rrija me Aishen, erdhi një grua ensare dhe tha: “Allahu ia bëftë kështu e ashtu filanit (duke u lutur kundër tij)!” - Përse, vallë? - pyeta. - Ai ka përhapur shpifjen, - u përgjigj ajo. - Çfarë shpifjeje? - pyeti Aishja. Sakaq ensarja i tregoi. - Vallë, kanë dëgjuar Ebu Bekri dhe i Dërguari i Allahut ﷺ? - tha Aishja. - Po, - u përgjigj ensarja. Me të dëgjuar këtë, Aishes i ra të fikët dhe ra përtokë. Kur u zgjua, e kishin kapluar ethet dhe, kur Pejgamberi ﷺ erdhi, pyeti: - “Çfarë ka kjo?” - E kanë kapluar ethet, për shkak të shpifjes që është bërë ndaj saj, - u përgjigja unë. Aishja u ul dhe tha: “Për Allahun, po t'ju betohesha, ju nuk do të më besonit; po të kërkoja ndjesë, nuk do të më arsyetonit. Andaj, gjendja ime tani, në raport me ju, është sikurse gjendja e Jakubit me të bijtë e tij. Por, vetëm Allahut i kërkohet ndihma për këtë që po flisni ju.” Pejgamberi ﷺ u largua dhe Allahu i zbriti shpalljen rreth kësaj ndodhie. Kur Pejgamberi ﷺ i tregoi Aishes (për shpalljen dhe pafajësinë e saj), ajo tha: “Merita për këtë i takon vetëm Allahut, askujt tjetër.””