“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Dherri transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “ (Një natë,) teksa isha në Mekë, u hap çatia e shtëpisë dhe zbriti Xhibrili, i cili ma hapi gjoksin dhe ma pastroi me ujë Zemzemi. Pastaj, solli një enë prej ari, të mbushur me urtësi e besim dhe ma derdhi në gjoks e ma mbylli (gjoksin) . Më pas, më kapi për dore dhe më ngriti deri në qiellin e dynjasë. Kur arritëm aty, Xhibrili i tha rojës së qiellit: - Hape. - Kush është? - pyeti roja. - Xhibrili. - A është ndokush me ty? - pyeti roja. - Po, me mua është Muhamedi ﷺ, - ia ktheu Xhibrili. - A i ka zbritur shpallja? - pyeti roja. - Po, - tha Xhibrili. Pasi e hapi derën, përshkuam qiellin e dynjasë, kur ja, një burrë ulur, në të djathtën e të cilit ndodheshin turma njerëzish e po ashtu në të majtë të tij. Sa herë që shikonte në të djathtë, qeshte, e, sa herë që shikonte në të majtë, qante. (Kur më pa) më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber i mirë dhe bir i mirë!” E pyeta Xhibrilin: - Kush është ky? - Ademi. Ndërkaq, këto turma në të djathtë dhe të majtë janë pasardhësit e tij. Këta nga e djathta janë banorët e Xhenetit, kurse turma në të majtë janë banorët e Zjarrit. Sa herë që shikon në të djathtë, qesh, e, sa herë që shikon në të majtë, qan, - tha ai. Kur u ngjitëm te qielli i dytë, (Xhibrili) i tha rojës së qiellit: “Hape.” Edhe ky e pyeti sikurse i pari, pastaj e hapi derën.” Enesi thotë: “Pastaj Pejgamberi ﷺ tregoi se i ka parë nëpër qiej Ademin, Idrisin, Musain, Isain dhe Ibrahimin, paqja e Allahut qoftë mbi ta! (Ndërkaq, Ebu Dherri, në transmetimin e tij) Nuk përmend vendqëndrimet e tyre, përveç për Ademin, për të cilin ka thënë se është në qiellin e dynjasë dhe për Ibrahimin, se është në qiellin e gjashtë. Enesi thotë: “E, kur Xhibrili dhe Pejgamberi ﷺ kaluan tek Idrisi ﷺ , ai i tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber i mirë dhe vëlla i mirë!” Pejgamberi ﷺ thotë: “E pyeta Xhibrilin: “Kush është ky?” Më tha: “Ky është Idrisi.” Pastaj kaluam te Musai ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber i mirë dhe vëlla i mirë!” Pyeta: “Po ky, kush është?” - Ky është Musai, - më tha Xhibrili. Pastaj kaluam tek Isai ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o vëlla i mirë dhe Pejgamber i mirë!” E pyeta Xhibrilin: “Kush është ky?” Më tha: “Ky është Isai.” Pastaj kaluam tek Ibrahimi ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber i mirë dhe bir i mirë!” Pyeta: “E ky, kush është?” Xhibrili më tha: “Ky është Ibrahimi ﷺ.” Ibn Shihabi më ka thënë: “Më ka rrëfyer Ibn Hazmi se Ibn Abasi dhe Ebu Habe Ensariu transmetojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastaj jam ngritur derisa kam arritur në një lartësi ku dëgjoja edhe fëshfërimën e lapsave (që shkruajnë caktimet vjetore nga Pllaka e Ruajtur) .” Ibn Hazmi dhe Enesi ibn Maliku ka thënë: “Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu ia obligoi umetit tim pesëdhjetë namaze. U ktheva me këtë urdhër, por, duke kaluar pranë Musait, më pyeti: - Çfarë i obligoi Allahu umetit tënd? - I obligoi pesëdhjetë namaze, - i thashë. - Kthehu te Zoti yt (dhe kërko lehtësim) , sepse umeti yt nuk mund ta përballojë këtë, - më tha ai. U ktheva dhe kërkova lehtësim, kurse Allahu ﷻ e përgjysmoi numrin e tyre. U ktheva te Musai dhe i thashë që Ai hoqi gjysmën e tyre. Ai prapë më tha: “Kthehu dhe kërko sërish të ta lehtësojë, sepse umeti yt nuk mund ta përballojë.” U ktheva, ndërsa Allahu ﷻ sërish e hoqi gjysmën e tyre. Kur u ktheva te Musai, më tha: “Kthehu, sepse umeti yt nuk mund ta përballojë.” Së treti, Allahu ﷻ tha: “Ato janë pesë (për t'u kryer) , por janë pesëdhjetë (për t'u shpërblyer) . Unë nuk i luaj fjalët .” Pasi u ktheva, Musai më tha: “Kthehu sërish te Zoti yt.” Mirëpo, u turpërova nga Zoti im (andaj nuk u ktheva) . Pastaj, rrugëtimi vazhdoi, derisa arrita në Sidretul Munteha, e cila mbulohej nga një mori ngjyrash, që nuk e dija çfarë ishin. Më futën edhe në Xhenet, aty pashë kube (pallat të vogël) prej margaritarëve, dheu i të cilit (Xhenetit) ishte prej myshkut.””