“Zejd ibn Ahzami na ka treguar: Na ka thënë Ebu Kutejbe Selm ibn Kutejbe, e këtij i ka treguar Muthena ibn Seid Kasiri, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “A doni t'ju tregoj për pranimin e Islamit nga Ebu Dherri?” Thamë: “Posi.” Ibn Abasi tha: “Ebu Dherri tregon: “Meqë unë i përkisja fisit gifar, dëgjuam për paraqitjen e një personi në Mekë, i cili po pretendonte se ishte pejgamber. Kështu, iu drejtova vëllait tim: “Nisu drejt këtij personi dhe bisedo me të, pastaj më sill ndonjë lajm për të. Ai shkoi dhe e takoi atë, pastaj u kthye dhe i thashë: “Çfarë ke për të treguar?” Tha: “Betohem në Allahun se m'u duk njeri që thërret në punë të mira dhe ndalon nga të këqijat.” I thashë: “Nuk më qetësove me këtë lajm.” Kështu, mora një trastë dhe një shkop e u nisa drejt Mekës. Nuk e njihja dhe, njëherazi, nuk doja të pyesja askënd për të. Pija ujë Zemzemi dhe qëndroja në xhami (Qabe). Ndërkohë, pranë meje kaloi Aliu dhe tha: “Më duket se na qenkëshe i huaj?” I thashë: “Po.” Tha: “Atëherë eja me mua në shtëpi.” Shkova me të dhe as më pyeti gjë e as iu përgjigja. Kur u gdhiva, shkova në xhami për të pyetur për të (Pejgamberin ﷺ), por askush nuk më jepte ndonjë lajm. (Në mbrëmje) Aliu sërish kaloi pranë meje dhe tha: “A ende nuk ia doli ky burrë që të gjejë një vend për të qëndruar?” Thashë: “Jo.” Më tha: “Eja me mua.” Pastaj më tha: “Ç'është puna jote? Çfarë të solli në këtë qytet?” I thashë: “Nëse e mban të fshehtë, do të të tregoj.” Tha: “Atëherë po të premtoj.” Unë i thashë: “Dëgjuam se këndej-pari është paraqitur një person i cili pretendon se është pejgamber, andaj e dërgova vëllanë tim për të biseduar me të, por ai u kthye dhe nuk më qetësoi me lajmin që ma solli, kështu që desha që vetë ta takoj atë.” Atëherë Aliu më tha: “E po, tashmë qenke udhëzuar mirë. Andaj, më ndiq dhe, nëse shoh diçka me rrezik për ty, do të shkoj anash sikurse dëshiroj të rregulloj opingën time, andaj, posa të largohem unë, ti eja pas meje dhe hyr aty ku hyj unë.” Ashtu vepruan dhe e ndoqa pas derisa hyri te Pejgamberi ﷺ, e bashkë me të hyra edhe unë. I thashë (Pejgamberit ﷺ): “Ma prezanto Islamin.” Posa ma prezantoi, e pranova Islamin atypëratyshëm. Pastaj Pejgamberi ﷺ më tha: “O Ebu Dherr, mbaje të fshehtë këtë çështje dhe kthehu te populli yt e, kur të marrësh vesh se ne jemi shfaqur haptazi, atëherë eja prapë.” Ebu Dherri tha: “Betohem në Atë, i Cili të ka dërguar me të vërtetën se do të bërtas haptazi mes tyre me sa fuqi që kam.” Ebu Dherri shkoi te Qabeja, ku ndodheshin kurejshët, dhe tha: “O ju kurejshë! Unë dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij! Ata thanë: “Mësyjani këtij renegati.” Ebu Dherri vazhdon: “Më rrahën për vdekje derisa më erdhi Abasi dhe filloi të më mbrojë me trupin e tij, pastaj u kthye prej tyre dhe u tha: “Mjerë ju! A do të mbysni një burrë të fisit gifar, ndërkohë përmes tyre ju kaloni gjatë rrugës për tregti në Sham?!” Kështu, ata hoqën dorë prej meje.” Të nesërmen, dola sërish dhe ua thashë të njëjtat fjalë që ua pata thënë ditën e djeshme. Ata prapë thanë: “Mësyjani këtij renegati.” Pastaj ma bënë të njëjtën gjë sikurse ditën e djeshme derisa më erdhi Abasi e më mbrojti sërish, e atyre ua tha fjalët e njëjta që ua pati thënë dje. Ky ishte fillimi i Islamit të Ebu Dherrit, Allahu e mëshiroftë!” 222222;">”