“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ndante një pasuri, erdhi Dhul Huvejsira, - një burrë nga fisi benu temim, - dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Ji i drejtë!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Mjerë ti! Vallë, kush do të tregohet i drejtë, nëse nuk tregohem unë?! Po të mos isha unë i drejtë, do të dështoje e do të shkatërroheshe.” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, më jep leje t'ia pres kokën!” Por, Pejgamberi ﷺ i tha: “Lëre, sepse ky ka ca pasues, që ju e nënvlerësoni namazin tuaj kundrejt namazit të tyre dhe agjërimin tuaj kundrejt agjërimit të tyre. E lexojnë Kuranin, por (ky lexim) nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Dalin prej fesë ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut: kur i shikohet maja, nuk i vërehet asgjë, shikohet fundi i majës, sërish asgjë, shikohet thupra, nuk ka asnjë shenjë, shikohet fundi i thuprës, sërish nuk vërehet asgjë. Pra, as gjurmë zorrësh, as gjak. Shenja e tyre është një burrë zezak, të cilit, muskuli i një krahu i duket sikurse gjiri i femrës, - ose ka thënë: sikurse një copë mishi, - që lëkundet andej-këndej dhe paraqiten atëherë kur njerëzit përçahen mes vete.” Ebu Seidi ka thënë: “Dëshmoj se këtë hadith e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe dëshmoj se kam qenë me Ali ibn Ebu Talibin kur i pati luftuar, i cili pati dhënë urdhër të kapet personi, të cilin Pejgamberi ﷺ e kishte përmendur, dhe të sillet para tij. E pata parë atë person dhe dukej siç e ka përshkruar Pejgamberi ﷺ.””