“Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Ahmed ibn Jezid ibn Ibrahim Ebu Hasen Harraniu, e këtij i ka treguar Zuhejr ibn Muaviu, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri erdhi në shtëpinë e babit tim për t'i blerë një shalë deveje dhe pastaj i tha: “Dërgoje djalin tënd të më ndihmojë ta bart.” Kështu, i ndihmova ta bartë, kurse babai im doli ta marrë pagesën dhe i tha Ebu Bekrit: “O Ebu Bekër, më rrëfe për rrugëtimin tënd me Pejgamberin ﷺ (gjatë hixhretit)!” Ebu Bekri tha: “Po, udhëtuam tërë natën dhe paraditen e së nesërmes deri në mesditë, kur rruga ishte e zbrazur nga udhëtarët. Gjatë rrugës hasëm një shkëmb të gjatë, që bënte një hije, ku nuk depërtonte dielli, prandaj u ndalëm aty. E sheshova me dorë vendin për Pejgamberin ﷺ, që të mund të flinte, dhe i shtrova një rrobë lëkure, pastaj i thashë: “Fli, o i Dërguari i Allahut, kurse unë do të rri për të vëzhguar.” Kështu, ai fjeti, ndërsa unë dola të vëzhgoja. Papritmas, takova një bari me ca dele duke ardhur drejt shkëmbit, që synonte të njëjtën gjë sikurse ne (hijen).” - I kujt je, o djalosh? - e pyeta. - I një burri nga Medina, - ose ka thënë: nga Meka, - u përgjigj ai. - A kanë qumësht delet? - i thashë. - Po, - u përgjigj ai. - Do të mjelësh pak për mua? - Po, - tha djaloshi dhe mori një dele. - Fshija pluhurin, qimet dhe mbeturinat nga gjinjtë, - i thashë, e (përmendet se Berai i shkundi duart me njëra-tjetrën) bariu e moli delen dhe mbushi qumësht në një tas druri. Unë me vete kisha një kovë, prej së cilës Pejgamberi ﷺ pinte dhe merrte abdes. Shkova te Pejgamberi ﷺ, por, ndonëse urreja t'ia prishja gjumin, hasa mu në momentin kur ai tanimë ishte zgjuar. Qumështit i hodha edhe pak ujë, derisa u bë i freskët dhe i thashë Pejgamberit ﷺ: “Pi, o i Dërguari i Allahut.” Ai piu derisa unë u ndjeva i kënaqur dhe tha: “A nuk ka ardhur koha të vazhdojmë rrugën?” - Ashtu është, - i thashë dhe vazhduam rrugën me t'u larguar dielli nga kupa e qiellit. Suraka ibn Maliku po na ndiqte nga pas, prandaj i thashë Pejgamberit ﷺ: “Na zunë, o i Dërguari i Allahut.” Ai më tha: “Mos u pikëllo! Allahu është me ne.” Pejgamberi ﷺ filloi të lutej kundër tij dhe papritmas kali i tij u fundos në dhé deri në gjoks, - Zuhejri është në mëdyshje nëse ka thënë: “Edhe pse toka ishte e fortë.” - Suraka tha: “E mora vesh se u lutët kundër meje, vallë, mund të luteni për mua (të lirohem nga kjo)? Allahu do t'ju ndihmojë juve, kurse unë do t'i kthej gjurmuesit e tjerë, që të mos vijnë te ju.” Kështu, Pejgamberi ﷺ bëri dua për të, e ai shpëtoi. Që nga aty, këdo që takonte, i thoshte: “Këtë anë e kam gjurmuar gjithandej.” Të gjithë që i takonte, i kthente mbrapa. Pra, e mbajti premtimin që na dha.””