“Hisham ibn Amari më ka thënë: Na ka treguar Sadaka ibn Halidi, e këtij i ka treguar Zejd ibn Vakidi, e ky nga Busr ibn Ubejdullahu, e ky nga Ajdhullah Ebu Idrisi se Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrija me Pejgamberin ﷺ, erdhi Ebu Bekri duke mbajtur në dorë skajin e rrobës, saqë iu zbulua gjuri. Pejgamberi ﷺ tha: “Ky shoku juaj qenka grindur (me dikë) .” Ai dha selam dhe tha: “Mes meje dhe Ibn Hatabit ka ndodhur diçka. Unë u nguta (në veprim), por pastaj u pendova. I kërkova falje, por ai refuzoi, andaj erdha te ti.” Pejgamberi ﷺ tha tri herë: “Allahu të faltë, o Ebu Bekër!” Më pas, Omeri u pendua, andaj shkoi te shtëpia e Ebu Bekrit dhe pyeti: “A është Ebu Bekri aty?” I thanë: “Jo.” Atëherë shkoi te Pejgamberi ﷺ, të cilit i ndryshoi çehrja, sakaq Ebu Bekri, nga frika për Omerin, ra në gjunjë dhe tha dy herë: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Allahun se unë kam bërë padrejtësi!” Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu më dërgoi te ju, e ju thoshit: “Po gënjen”, kurse Ebu Bekri thoshte: “Ai e thotë të vërtetën.” Ai më mbështeti me veten dhe pasurinë e tij.” Pastaj, duke e përsëritur dy herë, tha: “Vallë, a mund ta lini të qetë shokun tim?” Pas kësaj, kurrë më nuk e shqetësuan Ebu Bekrin.””