“Kutejbe ibn Seidi na ka treguar nga Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ ishim në një udhëtim dhe, kur arritëm te vendi i quajtur Bejda ose Dhatu Xhejsh, m'u këput gjerdani (dhe më humbi). Pejgamberi ﷺ së bashku me njerëzit filluan ta kërkonin. Ata ishin në një vend që nuk kishte ujë dhe nuk kishin me vete ujë (për të marrë abdes), andaj disa shkuan tek Ebu Bekri dhe iu ankuan: “A nuk po sheh çfarë na bëri Aishja? Bëri që Pejgamberi ﷺ dhe të tjerët të çohen (në kërkim të gjerdanit), ndërkohë janë në një vend pa ujë dhe nuk kanë ujë me vete!” Ebu Bekri erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili po flinte me kokën mbështetur mbi prehrin tim, e më tha: “E vonove Pejgamberin ﷺ dhe të gjithë njerëzit, përderisa gjenden në një vend pa ujë dhe nuk kanë ujë me vete.” Më qortoi e më tha gjëra të rënda, pastaj filloi të më shpojë me dorë në ijë, por unë, duke mos dashur që Pejgamberi ﷺ ta largojë kokën nga prehri im, nuk lëviza. Pejgamberi ﷺ fjeti dhe, kur u zgjua nga gjumi, nuk kishte ujë. Atëherë Allahu ﷻ e zbriti ajetin e tejemumit, sakaq të gjithë morën tejemum. Usejd ibn Hudajri tha: “Kjo nuk është begatia juaj e parë, oj familja e Ebu Bekrit.” Aishja thotë: “Pasi e çuam devenë në të cilën unë kisha hipur, gjerdanin e gjetëm nën të.””