“Jusuf ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Othman ibn Gijathi, e këtij i ka treguar Ebu Othman Nehdiu se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrija me Pejgamberin ﷺ në një prej kopshteve të Medinës, një njeri erdhi dhe kërkoi leje për të hyrë. Pejgamberi ﷺ tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet.” Kur e hapa, pashë Ebu Bekrin, të cilin e përgëzova me atë që Pejgamberi ﷺ tha, ndërsa ai e falënderoi Allahun. Pastaj erdhi një tjetër dhe kërkoi leje për të hyrë. Pejgamberi ﷺ tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet.” Kur e hapa, e pashë Omerin, të cilit i tregova atë që tha Pejgamberi ﷺ, ndërsa ai e falënderoi Allahun. Sërish, i treti kërkoi për të hyrë dhe Pejgamberi ﷺ më tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet, pas një sprove që do ta godasë.” Këtë herë ishte Othmani, të cilin e lajmërova për atë që tha i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërsa ai e falënderoi Allahun dhe tha: “Allahu është Ndihmëtari.””