“Salt ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u plagos Omeri, ndiente dhimbje. Atëherë, Ibn Abasi, duke e ngushëlluar (për pikëllimin që kishte), i tha: “O prijës i besimtarëve, edhe pse po ndien dhimbje, mos harro se ti e ke shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ në mënyrën më të mirë, pastaj (kur ai vdiq) je ndarë prej tij, duke qenë ai i kënaqur me ty. Pastaj e ke shoqëruar Ebu Bekrin në mënyrën më të mirë, e, kur (ai vdiq) je ndarë prej tij, duke qenë ai i kënaqur me ty. Pastaj i ke shoqëruar shokët e tyre në mënyrën më të mirë, e, nëse ndahesh prej tyre, ndahesh duke qenë ata të kënaqur me ty.” Omeri tha: “Sa i përket asaj që përmende rreth shoqërimit të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe kënaqësisë së tij ndaj meje, kjo është begati e Allahut të Madhëruar ndaj meje. Sa i përket asaj që përmende rreth shoqërimit të Ebu Bekrit dhe kënaqësisë së tij ndaj meje, kjo është begati e Allahut të Madhëruar ndaj meje. Ndërkaq, ky pikëllim që po e sheh tek unë është për shkak tëndin dhe të shokëve të tu (për problemet që do t'ju vijnë). Betohem në Allahun se, sikur të kisha ar sa toka, do ta shkëmbeja për të shpëtuar nga dënimi i Allahut të Madhëruar, pa e parë (dënimin).” Hamad ibn Zejdi na ka thënë: “Njëjtë na ka treguar Ejubi nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Ibn Abasi: “Hyra tek Omeri.””