“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane se Othman ibn Mevhebi ka thënë: “Një njeri nga Egjipti vajti në haxh, ku pa disa njerëz ulur dhe pyeti: “Cilët janë këta njerëz?” - Kurejshët, - i tha dikush. - Kush është më i madhi prej tyre? - pyeti sërish. - Abdullah ibn Omeri, - iu përgjigjën. Atëherë thirri: “O Ibn Omer, do të të pyes diçka, andaj më trego: “A e di se Othmani ka ikur ditën e Uhudit?” - Po, - tha Ibn Omeri. - A e di se ai mungoi ditën e Bedrit dhe nuk mori pjesë në betejë? - pyeti ai. - Po, - iu përgjigj Ibn Omeri. - A e di se ai mungoi në besatimin e Ridvanit (Hudejbijes) dhe nuk ishte pjesmarrës? - Po. - Allahu ekber! - thirri pyetësi. - Eja të t'i shpjegoj këto, - i tha Ibn Omeri. - Sa i përket ikjes së tij ditën e Uhudit, unë dëshmoj se Allahu ia ka falur dhe ia ka mbuluar atë. Ndërkaq, ditën e Bedrit mungoi se ishte i martuar me të bijën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e cila ishte e sëmurë rëndë. I Dërguari i Allahut ﷺ i kishte thënë (Othmanit): “Ty të takon shpërblimi dhe plaçka e një pjesëmarrësi në Bedër.” Sa i përket mungesës në besatimin e Ridvanit, sikur të ishte ndokush më meritor se Othmani, në gjithë Luginën e Mekës, atëherë Pejgamberi ﷺ do ta dërgonte atë. Por, i Dërguari i Allahut ﷺ e dërgoi Othmanin. Ndërkohë, besatimi i Ridvanit ndodhi pas shkuarjes së Othmanit në Mekë (për të negociuar). I Dërguari i Allahut ﷺ, duke treguar dorën e tij të djathtë, tha: “Kjo është dora e Othmanit” , pastaj e shtrëngoi me dorën tjetër dhe tha: “Kjo është për Othmanin.” Merre këtë (përgjigje) me vete dhe shko tash, - i tha Ibn Omeri.””