“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Husajni se Amër ibn Mejmuni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pashë Omer ibn Hatabin në Medinë, disa ditë para se të plagosej. Ai u ndal me Hudhejfe ibn Jemanin dhe Othman ibn Hunejfin e u tha: “Si vepruat (me caktimin e taksave të tokës)? A nuk frikësoheni se i ngarkuat (banorët me taksa) për tokën, aq sa nuk përballohet?” Ata thanë: “I ngarkuam aq sa përballohet e nuk i ngarkuam shumë.” Omeri sërish tha: “Kujdes, mos i ngarkoni aq sa nuk përballohet.” Ata thanë: “Jo.” Omeri tha: “Nëse Allahu më jep jetë, do ta zgjidh çështjen (financiare) e të vejave të Irakut, që të mos kenë nevojë për dikë tjetër pas meje.” Amër ibn Mejmuni vazhdon: “Pas katër ditësh, ai (Omeri) u plagos. Po atë mëngjes, unë isha aty, mes meje dhe tij ishte vetëm Abdullah ibn Abasi. Ai (Omeri) zakonisht ecte mes safave dhe thoshte: “Drejtohuni" dhe, kur shihte se nuk ka zbrazëtira, dilte përpara (për namaz) dhe merrte tekbir. Në rekatin e parë, ndodhte të lexonte suren Jusuf a Nahl ose diçka të ngjashme, derisa të vinin njerëzit. (Atë ditë) sapo mori tekbirin fillestar, vrasësi e goditi dhe unë e dëgjova duke thënë: “Qeni, më vrau!” Ose ka thënë: “Më kafshoi!” I poshtri (vrasësi) lëvizi shpejt thikën e tij me dy tehe dhe goditi djathtas e majtas kë mundi, saqë theri trembëdhjetë burra, shtatë prej të cilëve vdiqën. Kur një musliman pa këtë, i hodhi atij një pelerinë. Kur i poshtri kuptoi se u kap, e mbyti veten. Omeri e kapi për dore Abdurrahman ibn Aufin dhe e tërhoqi përpara (për të prirë në namaz). Ata që ishin mbrapa Omerit panë atë që ndodhi, kurse ata që ishin në skaje të xhamisë nuk dinin gjë, përveç kur humbën zërin e Omerit, thoshin: “Subhanallah! Subhanallah!” Abdurrahmani ua fali namazin shkurt dhe, kur mbaruan, Omeri tha: “O Ibn Abas, shiko kush më vrau.” Ibn Abasi u soll një kohë, pastaj u kthye dhe tha: “Skllavi i Mugirës.” Omeri pyeti: “Mjeshtri?” Ibn Abasi i tha: “Po.” Omeri tha: “Allahu e vraftë! Kam urdhëruar të sillen mirë me të. E falënderoj Allahun, që vdekjen time nuk e bëri në dorën e një njeriu që thirret në Islam, kurse ti dhe babai yt dëshironit shtimin e skllevërve jobesimtarë në Medinë.” Ndër banorët e Medinës Abasi kishte më së shumti skllevër. Ibn Abasi tha: “Nëse do, i vrasim të gjithë (skllevërit).” Omeri tha: “Gabove me këtë (fjalë). Tash, pasi ata flasin gjuhën tuaj, falen drejt kibles suaj dhe kryejnë haxhin tuaj?” Kështu, Omerin e bartën për në shtëpinë e tij, e ne shkuam me të. Në anën tjetër, njerëzit silleshin si të mos i kishte goditur asnjëherë më parë ndonjë fatkeqësi. Dikush thoshte: “Omeri nuk është në rrezik.” Dikush tjetër thoshte: “Kam frikë për jetën e tij.” Omerit i sollën një pije hurmash, e cila, kur e piu, i rrodhi prej plagëve. Pastaj i sollën qumësht, të cilin, kur e piu, edhe ky i rrodhi prej plagës dhe kuptuan se ai do të vdesë. Ne shkuam në dhomën e tij, kurse njerëzit vinin dhe i thoshin fjalë lëvdatash. Një djalosh erdhi dhe i tha: “Myzhde, o prijës i besimtarëve, përgëzim prej Allahut! Ti e shoqërove të Dërguarin e Allahut ﷺ, ke kontribuar shumë për Islamin, siç e di edhe vetë. Kur je zgjedhur prijës, ke qenë i drejtë dhe tërë këtë e ke përmbyllur me shehidllëk.” Omeri ia ktheu: “Ah, sikur të isha baras, (e hilafeti të mos më ishte) as kundër, as pro!” Kur djaloshi u ngrit për të dalë, rroba e tij e prekte tokën, atëherë Omeri tha: “Kthejeni atë djalosh!” Pastaj i tha: “O djali i vëllait tim, ngrije rrobën më lart, sepse kështu rroba jote është më e pastër dhe ti do të jesh më i devotshëm për Zotin tënd.” Pastaj iu drejtua të birit: “O Abdullah ibn Omer, shiko sa kam borxh.” Kur llogaritën borxhin e tij, doli se ishte diku tetëdhjetë e gjashtë mijë (dërhemë). Omeri vazhdoi: “Paguajeni borxhin nga pasuria e familjes së Omerit, nëse mjafton, e, nëse jo, kërkoni nga Benu Adij ibn Kabi, e, nëse edhe pasuria e tyre nuk mjafton, kërko nga kurejshët, e mos kërko nga dikush tjetër. Paguaje këtë borxh në vend timin. Shko tek Aishja, nëna e besimtarëve, dhe thuaji: “Omeri të bën selam”, por mos i thuaj prijësi i besimtarëve, sepse unë sot nuk jam prijës i besimtarëve. Thuaji: “Omer ibn Hatabi kërkon leje që të varroset afër dy shokëve të tij.” Ibn Omeri (me të shkuar tek Aishja) dha selam dhe kërkoi leje për të hyrë. Me të hyrë brenda, e gjeti Aishen ulur, duke qarë, e i tha: “Omer ibn Hatabi të bën selam dhe kërkon leje të varroset afër dy shokëve të tij.” Ajo tha: “Atë vend e dëshiroja për vete, por sot do t'i jap përparësi atij kundrejt meje.” Kur u kthye, i thanë Omerit: “Erdhi Abdullah ibn Omeri.” Omeri tha: “Më ngrini.” Dikush e mbajti e ai tha: “Çfarë lajmi më ke sjellë?” Ibn Omeri iu përgjigj: “Atë që dëshirove ti, o prijës i besimtarëve. Ajo të dha leje.” Atëherë, Omeri tha: “Elhamdulilah, asgjë nuk kishte më të rëndësishme për mua se kjo. Pasi të vdes, më bartni (te dhoma e Aishes), pastaj jepni asaj selam dhe thoni: “Omer ibn Hatabi po kërkon leje të hyjë.” Nëse ajo lejon, më futni brenda, e, nëse refuzon, më ktheni te varret e muslimanëve. Hafsa, nëna e besimtarëve, erdhi me disa gra dhe, kur e pamë, u larguam. Ajo hyri tek Omeri dhe qau një copë herë. Më pas kërkuan leje edhe ca burra, atëherë ajo hyri në një dhomë tjetër, ndërsa ne e dëgjonim të qarët e saj prej brenda. Ata i thanë: “Na këshillo, o prijës i besimtarëve, dhe caktoje prijësin pas teje.” Omeri tha: “Për këtë çështje nuk po shoh më meritorë se këta persona, me të cilët i Dërguari i Allahut ﷺ ishte i kënaqur kur vdiq”, - pastaj përmendi: Aliun, Othmanin, Zubejrin, Talhain, Sadin, Abdurrahmanin dhe tha: “Abdullah ibn Omeri është dëshmitar juaji dhe nuk i takon të zgjidhet.” Këtë e bëri si ngushëllim për moskandidaturën e Ibn Omerit. “Nëse posti i bie Sadit, ai është më meritori. Përndryshe, cilido që zgjidhet, le të kërkojë ndihmë prej tij (Sadit), sepse unë nuk e kam shkarkuar atë se ishte i dobët e as për tradhti.” Po ashtu, ai tha: “Halifin pas meje e porosis të kujdeset për muhaxhirët e parë: t'ua njohë të drejtat dhe t'ua ruajë shenjtërinë. Gjithashtu, e porosis të sillet mirë me ensarët, të cilët e patën përgatitur vendin (Medinën) dhe besimin, para hixhretit; t'ia pranojë punën bamirësit dhe t'ia falë gabimin keqbërësit. E porosis të sillet mirë me banorët e krahinave, sepse ata janë ndihmëtarët e Islamit dhe burim i pasurisë, si dhe armiqtë mllefosen (nga prania e tyre), e (në rast nevoje) t'u merren vetëm tepricat (nga pasuritë e tyre), me pëlqimin e tyre. E porosis të sillet mirë me beduinët, sepse ata janë origjina e arabëve dhe përbërësit e Islamit, t'u merret pasuria mesatare (të pasurve) e t'u jepet të varfërve të tyre. E porosis t'i ketë parasysh kategoritë që janë nën mbrojtjen e Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, ta mbajë premtimin kundrejt tyre, të luftojë në mbrojtjen e tyre dhe të mos i ngarkojë diçka që nuk mund ta bartin.” Pasi vdiq, e nxorëm prej shtëpisë dhe vazhduam rrugën. Abdullah ibn Omeri i dha selam Aishes dhe i tha: “Omer ibn Hatabi kërkon leje për të hyrë.” Ajo tha: “Futeni.” Kështu, e futën dhe e varrosën afër dy shokëve të tij. Pasi përfundoi varrimi dhe personat e propozuar (për halife) u tubuan, Abdurrahmani tha: “Propozoni vetëm tre prej jush.” Zubejri tha: “Unë e propozoj Aliun.” Talhai tha: “Unë e propozoj Othmanin.” Ndërkaq, Sadi tha: “Unë e propozoj Abdurrahman ibn Aufin.” Mirëpo, Abdurrahmani (u tërhoq dhe) tha: “Cili prej ju të dyve tërhiqet nga kandidatura, që ta zgjidhë këtë çështje. Allahu dhe Islami janë mbikëqyrës të tij. Secili le të shikojë më të mirën për vetveten.” Por, të dy të propozuarit heshtën. Abdurrahmani tha: “A ma besoni mua zgjedhjen? Betohem në Allahun se nuk do ta anashkaloj më të mirin nga ju.” Të dy thanë: “Po.” E mori njërin për dore (Aliun) dhe i tha: “Ti ke afërsi (gjaku) me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe ke vlerë në Islam, siç e di dhe vetë. Nëse të zgjedhim, Allahun e ke mbikëqyrës se do të jesh i drejtë, e, nëse e zgjedh Othmanin, do të bindesh dhe do ta respektosh. Pastaj e mori edhe tjetrin (Othmanin) dhe ia tha po të njëjtat fjalë. Kur e mori besën (nga të dy) tha: “Shtrije dorën, o Othman”, - dhe ia dha besën. Kështu, edhe Aliu ia dha besën Othmanit, pastaj hynë edhe ata që ishin në shtëpi dhe ia dhanë besën atij.””