“Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulazizi, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ (ditën e Hajberit) ka thënë: “Nesër do t'i jap flamurin një njeriu, në duart e të cilit Allahu do ta mundësojë çlirimin.” Kështu, të gjithë njerëzit e kaluan natën duke u hamendur se kujt do t'i jepej (flamuri). E, kur u gdhinë, shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërkohë secili shpresonte se do t'i jepej atij. Pejgamberi ﷺ pyeti: “Ku është Ali ibn Ebu Talibi?” Dikush tha: “Po ankohet për sytë, o i Dërguari i Allahut.” - "Thirreni dhe silleni tek unë”, - tha Pejgamberi ﷺ. Kur erdhi Aliu, Pejgamberi ﷺ pështyu në sytë e tij, u lut për të, e ai u shërua menjëherë, sikur të mos kishte pasur dhimbje fare dhe Pejgamberi ﷺ ia dha flamurin. Aliu tha: “O i Dërguari i Allahut, do t'i luftoj derisa të bëhen sikurse ne (muslimanë).” Por, Pejgamberi ﷺ i tha: “Mos vepro asgjë pa shkuar në mesin e tyre e t'i ftosh në Islam dhe t'u tregosh çfarë obligimi kanë kundrejt Allahut në Islam. Kjo, se, për Allahun, që Allahu të udhëzojë një njeri nëpërmjet teje është më e mirë për ty sesa të posedosh devetë e kuqe (lloji më i çmueshëm i deveve) .””