“Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Omeri, e këtij i ka treguar Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Sa herë që për ndonjë çështje Omeri thoshte: “Mendoj se është kështu”, vërtet ndodhte ashtu siç mendonte. Njëherë, teksa Omeri qëndronte ulur, pranë tij kaloi një njeri i bukur, për të cilin Omeri tha: “Unë mund të jem gabim, por ky, ose është në idhujtari, ose ka qenë falltar i tyre. Ma thirrni atë!” Kur e thirrën, Omeri ia tha të njëjtat fjalë. Njeriu në fjalë iu drejtua: “Nuk di që ndonjëherë ndonjë musliman të jetë pritur kështu.” Omeri i tha: “Unë këmbëngul të më tregosh.” - Kam qenë falltar i tyre në periudhën paraislame, - tha ai. - Cili ishte lajmi më i çuditshëm që ta ka sjellë shejtani yt? - pyeti Omeri. - Një ditë, teksa isha në treg, shejtani më erdhi i frikësuar dhe më tha: “A nuk po i sheh xhinët të demoralizuar e të dëshpëruar pasi ishin penguar dhe u kanë hipur deveve të shaluara (të nisur drejt Mekës)?” - tha ai. - E the të vërtetën, - tha Omeri dhe vazhdoi: - Një ditë, teksa po flija pranë idhujve të tyre, një njeri solli një viç dhe e theri. Pastaj u dëgjua një zë i fortë, - kurrë më parë nuk kisha dëgjuar klithje të atillë, - dhe tha: “O Xhelih (armik), një çështje do të triumfojë, një burrë orator që thotë: “S'ka të adhuruar të denjë përveç Teje.” Atëherë njerëzit brofën (dhe u larguan). Unë thashë se nuk do të largohem pa kuptuar çka fshihet pas kësaj. Pastaj përsëri thirri: “O Xhelih (armik), një çështje do të triumfojë, një burrë orator që thotë: “S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut"; atëherë u largova edhe unë. Nuk kaloi shumë kohë dhe njerëzit filluan të flisnin se ishte paraqitur një pejgamber.””