“Abdullah ibn Muhamed Xhufiu na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e ky nga Ubejdullah ibn Adij ibn Hijari se Misver ibn Mahremi dhe Abdurrahman ibn Esved ibn Abdujeguthi i thanë (Ubejdullah ibn Adij ibn Hijarit): “Çfarë të pengon t'i flasësh dajës tënd, Othmanit, për vëllanë e tij (nga nëna), Velid ibn Ukben, sepse njerëzit po flasin shumë për të?” Kur Othmani doli për namaz, unë (Ubejdullahu) shkova dhe i thashë: “Kam një kërkesë për ty, që, njëherazi, është këshillë. Ai ma ktheu: “O njeri, i kërkoj Allahut mbrojtje kundrejt teje!” Kështu, u ktheva. Pasi e fala namazin, u ula te Misveri dhe Ibn Abdujeguthi e u tregova çfarë i thashë Othmanit dhe si ma ktheu ai. Ata thanë: “Ti e kreve detyrën tënde.” Teksa po qëndroja me ta, erdhi i deleguari i Othmanit, e ata më thanë: “Allahu do të të sprovojë.” Kështu, shkova tek Othmani, i cili më tha: “Cila ishte këshilla jote, që e përmende më herët? Pasi e lavdërova Allahun, i thashë: “Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin ﷺ dhe ia zbriti Librin, ndërsa ti ishe nga ata që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, i besove atij, bëre dy hixhretet e para, e shoqërove të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe e ke përjetuar udhëzimin e tij, kurse tani njerëzit po flasin shumë për çështjen e Velid ibn Ukbes. E ke për obligim ta ndëshkosh atë.” Othmani më pyeti: “O biri i motrës sime, a e ke takuar të Dërguarin e Allahut ﷺ?” I thashë: “Jo, por dituria e tij ka arritur tek unë, siç ka arritur edhe te beqaret në shtëpitë e tyre.” Othmani, pasi e lavdëroi Allahun, tha: “Allahu e dërgoi Muhamedin ﷺ me të vërtetën, ia zbriti atij Librin, e unë isha nga ata që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, i besova shpalljes me të cilën u dërgua Muhamedi ﷺ, i bëra dy hixhretet e para, ashtu siç the ti. E shoqërova të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe ia dhashë besën. Betohem në Allahun se as e kundërshtova, as e mashtrova, derisa Allahu ia mori shpirtin. Pastaj, Allahu e bëri Ebu Bekrin halif. Betohem në Allahun se as e kundërshtova, as e mashtrova. Pastaj, halif u zgjodh Omeri. Betohem në Allahun se as e kundërshtova, as e mashtrova. Pas tij, më zgjodhën mua për halif. A nuk kam edhe unë të drejta siç kishin ata?” I thashë: “Po.” Othmani tha: “E çka janë këto muhabete, që më vijnë prej jush?! Sa i përket çështjes së Velid ibn Ukbes, do ta gjykojmë atë me drejtësi, inshallah (në dashtë Allahu).” Kështu, Othmani e dënoi Velidin me dyzet shkopinj dhe e urdhëroi Aliun që t'ia zbatojë dënimin, madje edhe vetë ai e goditi. Junusi dhe i biri i vëllait të Zuhriut transmetojnë nga Zuhriu se ka thënë: “Vallë, a nuk kam edhe unë të drejta ndaj jush sikurse kishte ai ndaj tyre?!” Ebu Abdullahu (Imam Buhariu ) ka thënë: Ajeti ”... sprovë nga Zoti juaj...” (Bekare, 49) nënkupton vështirësitë me të cilat jeni sprovuar.”