“Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemam ibn Jahjai, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Enes ibn Maliku se Malik ibn Saësai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ tregoi për Natën e Israsë duke thënë: “Një natë, teksa isha i shtrirë në Hixhër, erdhi një person dhe ma çau gjoksin nga këtu deri këtu, - transmetuesi thotë se fjala është për pjesën nga trakeja deri në diafragmë. - Ma nxori zemrën, pastaj i sollën një enë të artë të mbushur me iman, prej së cilës ma pastroi zemrën e ma mbushi (me urtësi e iman) dhe pastaj ma ktheu në vend . Aty më sollën një kafshë të bardhë, më të vogël se mushka e më të madhe se gomari. - Xharudi e pyeti Enesin: “Është fjala për Burakun?” Enesi i tha: “Po, Buraku, që e hidhte hapin aty ku i arrinte shikimi.” Rrëfimi vazhdon: - Më hipën në të d he kështu Xhibrili u nis së bashku me mua dhe, me të arritur në qiellin e dynjasë, Xhibrili kërkoi t'i hapet dera e qiellit. - Kush është? - tha roja. - Xhibrili. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - tha roja dhe e hapi derën. Kur hyra, aty pashë Ademin. Xhibrili më tha: “Ky është babai yt, Ademi, jepi selam.” Unë e përshëndeta me selam dhe ai ma ktheu e më tha: “Mirë se ke ardhur, o bir i mirë dhe pejgamber i mirë!” Pastaj u ngritëm lart derisa shkuam në qiellin e dytë, ku Xhibrili kërkoi leje dhe roja pyeti: - Kush është? - Xhibrili. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - tha roja dhe e hapi derën. Kur hyra, aty ishte Jahjai dhe Isai, të cilët janë djem tezeje. Xhibrili më tha: “Këta janë Jahjai dhe Isai, jepu selam.” Unë i përshëndeta me selam. Ata ma kthyen selamin dhe më thanë: “Mirë se ke ardhur, o vëlla i mirë dhe pejgamber i mirë!” Pastaj u ngritëm lart derisa shkuam në qiellin e tretë, ku Xhibrili kërkoi leje dhe roja pyeti: - Kush është? - Xhibrili. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - tha roja dhe e hapi derën. Kur hyra, aty pashë Jusufin. Xhibrili më tha: “Ky është Jusufi, jepi selam.” Unë e përshëndeta me selam dhe ai ma ktheu selamin e më tha: “Mirë se ke ardhur, o vëlla i mirë dhe pejgamber i mirë!” Pastaj shkuam në qiellin e katërt, ku Xhibrili kërkoi leje dhe roja pyeti: - Kush është? - Xhibrili. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - tha roja dhe e hapi derën. Kur hyra, aty pashë Idrisin. Xhibrili më tha: “Ky është Idrisi, jepi selam.” Unë e përshëndeta me selam dhe ai ma ktheu selamin e më tha: “Mirë se ke ardhur, o vëlla i mirë dhe pejgamber i mirë!” Pastaj shkuam në qiellin e pestë, ku Xhibrili kërkoi leje dhe roja pyeti: - Kush është? - Xhibrili. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - tha roja dhe e hapi derën. Kur hyra, aty pashë Harunin. Xhibrili më tha: “Ky është Haruni, jepi selam.” Unë e përshëndeta me selam dhe ai ma ktheu selamin e më tha: “Mirë se ke ardhur, o vëlla i mirë dhe pejgamber i mirë!” Pastaj shkuam në qiellin e gjashtë, ku Xhibrili kërkoi leje dhe roja pyeti: - Kush është? - Xhibrili. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - tha roja dhe e hapi derën. Kur hyra, aty pashë Musain. Xhibrili më tha: “Ky është Musai, jepi selam.” Unë e përshëndeta me selam dhe ai ma ktheu selamin e më tha: “Mirë se ke ardhur, o vëlla i mirë dhe pejgamber i mirë!” Kur u largova nga aty, ai filloi të qajë. E pyetën: “Përse po qan?” Ai tha: “Po qaj se nga umeti i këtij djaloshi, që është dërguar pas meje, do të hyjnë në Xhenet më shumë sesa nga umeti im.” Pastaj shkuam në qiellin e shtatë, ku Xhibrili kërkoi leje. - Kush është? - tha roja. - Xhibrili. - E kush është me ty? - pyeti ai. - Muhamedi. - I është dërguar shpallja? - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - tha roja dhe e hapi derën. Kur hyra, aty pashë Ibrahimin. Xhibrili më tha: “Ky është babai yt, jepi selam.” Unë e përshëndeta me selam dhe ai ma ktheu selamin e më tha: “Mirë se ke ardhur, o bir i mirë dhe pejgamber i mirë!” Pastaj m'u shfaq Sidretu Muntehaja, frutat e së cilës dukeshin si qypet e Hexherit (emër vendi) , ndërsa gjethet si veshë elefanti. Xhibrili më tha: “Kjo është Sidretu Mentehaja.” Aty ishin katër lumenj: dy lumenj të fshehtë dhe dy të tjerë të dukshëm. E pyeta Xhibrilin: “Çka janë këta dy?” - Dy të fshehtët derdhen në Xhenet, ndërsa dy të dukshmit janë Nili dhe Eufrati, - tha ai. Më pas m'u shfaq Bejtu Mamuri dhe më ofruan një enë me verë, një me qumësht dhe një me mjaltë. Unë e zgjodha qumështin, e në atë rast Xhibrili më tha: “Kjo është natyrshmëria në të cilën gjendesh ti dhe umeti yt.” Pastaj m'u obliguan pesëdhjetë namaze në ditë. Gjatë kthimit kalova nga Musai, i cili më pyeti: “Çfarë t'u obligua?” I thashë: “Më janë obliguar pesëdhjetë namaze në ditë.” Ai më tha: “Umeti yt nuk mund t'i përballojë pesëdhjetë namaze në ditë. Betohem në Allahun se i njoh njerëzit më mirë se ti, kam vuajtur shumë me benu israilët, andaj kthehu te Zoti yt dhe kërko prej Tij që t'ia pakësojë umetit tënd.” Unë u ktheva dhe Ai m'i hoqi dhjetë namaze. Kur u ktheva te Musai, ai ma përsëriti të njëjtën gjë. Kështu, sërish shkova dhe Ai m'i hoqi edhe dhjetë të tjera. Sërish, kur u ktheva te Musai, ai ma përsëriti të njëjtën gjë dhe unë shkova dhe Ai m'i hoqi edhe dhjetë. Pastaj, sërish, kur u ktheva te Musai, ai ma përsëriti të njëjtën gjë dhe unë shkova, e në këtë rast m'u obliguan vetëm dhjetë namaze në ditë. Pastaj, sërish u ktheva te Musai, i cili ma përsëriti të njëjtën gjë. Kështu, unë shkova dhe m'u obliguan vetëm pesë namaze në ditë. Pastaj, sërish, me t'u kthyer te Musai, ai më pyeti: “Çfarë t'u obligua?” I thashë: “M'u obliguan pesë namaze në ditë.” Ai tha: “Umeti yt nuk mund t'i përballojë pesë namaze në ditë. Unë i njoh njerëzit më mirë se ti, kam vuajtur shumë me benu israilët, andaj kthehu te Zoti yt dhe kërko prej Tij t'ia pakësojë umetit tënd.” Unë i thashë: “I kërkova Zotit tim aq shumë, saqë u turpërova, prandaj jam i kënaqur me kaq dhe e pranoj.” Pasi u nisa, u dëgjua një thirrje: “Unë e vendosa obligimin Tim dhe ua lehtësova robërve të Mi.””