“Is'hak ibn Mensuri më ka thënë: Na ka rrëfyer Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar djali i vëllait të Ibn Shihabit, e ky nga xhaxhai i tij, e këtij i ka rrëfyer Ebu Idris Ajdhullahu se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - pjesëmarrës në Luftën e Bedrit me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe një prej pjesëtarëve të Besëlidhjes së Akabesë, - transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, përreth të cilit po qëndronin një grup shokësh të tij, ka thënë: “Ejani, jepmani besën se: nuk do t'i shoqëroni Allahut asgjë, nuk do të vidhni, nuk do të bëni amoralitet, nuk do t'i mbysni fëmijët tuaj, nuk do të bëni shpifje në moralin e njëri-tjetrit dhe nuk do të kundërshtoni kur të urdhëroheni për të mirë. Cilido prej jush që e mban besën e tij, do të shpërblehet nga Allahu. E, kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë) dhe ndëshkohet në dynja, kjo i mjafton si shpagim (për mëkatin) . Ndërkaq, kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë) , e pastaj Allahu ia mbulon ato, atëherë i përket Allahut: nëse do, e fal, por, nëse do, e dënon.” Atëherë ia dhashë besën për këtë.”