“Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Ibrahimi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Amiri, i biri i Sad ibn Malikut (Ebu Vekasit), se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më vizitoi vitin e Haxhit të Lamtumirës, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që më solli në prag të vdekjes, e në atë rast i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më ka goditur një sëmundje e rëndë, siç po e sheh. Unë kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë. A të jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime?” - “Jo” , - tha ai. - Po gjysmën? - e pyeta. - “Jo” , - tha ai. - “ Një të tretën, o Sad, madje edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë e t'u lypin njerëzve”, - tha Pejgamberi ﷺ. Ahmed ibn Junusi transmeton nga Ibrahimi se (Pejgamberi ﷺ ka thënë): “T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë. Për çdo lëmoshë që jep, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate.” - O i Dërguari i Allahut, a do të mbetem (në Mekë) pas shokëve të mi (të cilët do të kthehen në Medinë)? - i thashë. - “Nuk ndodh të jetosh gjatë, të punosh vepër të mirë duke kërkuar shpërblimin e Allahut e të të mos shtohet (për të) një gradë dhe lartësim. Mbase do të jetosh, aq sa dikush (nga miqtë) do të përfitojë nga ti, e dikush (nga armiqtë) do të dëmtohet prej teje. O Allah! Plotësoje hixhretin e shokëve të mi, e mos i kthe mbrapa (nga ku kanë bërë hixhret) . Sa i pafat që është Sad ibn Haule!” - tha Pejgamberi ﷺ. (Transmetuesi i këtij hadithi, ka thënë:) I Dërguari i Allahut ﷺ e qante atë pse pati vdekur në Mekë (sepse nuk u pëlqente të vdisnin aty pasi kishin bërë hixhret ). Ahmed ibn Junusi dhe Musai transmetojnë nga Ibrahimi se (Pejgamberi ﷺ ka thënë): “T'i lësh trashëgimtarët e tu...””