“Hamid ibn Omeri më ka treguar nga Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdullah ibn Selamit i arriti lajmi për shpërnguljen e Pejgamberit ﷺ në Medinë, erdhi dhe i tha: “Dua të të pyes për tri gjëra, të cilat i di vetëm një pejgamber: Cila është shenja e parë e Kiametit? Cili është ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit? Si i ngjason fëmija babait dhe si i ngjason nënës? Pejgamberi ﷺ i tha: “Xhibrili më lajmëroi pak më parë për këtë.” Ibn Selami tha: “Ai është armiku i hebrenjve nga radhët e melekëve.” Pejgamberi ﷺ vazhdoi: “Shenja e parë e Kiametit është një zjarr që do t'i tubojë njerëzit nga lindja në perëndim. Ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit është shtesa e mëlçisë së balenës. Ndërkaq, sa i përket fëmijës, kur sperma e burrit ia parakalon spermës së gruas, fëmija i ngjason burrit e, nëse sperma e gruas ia parakalon spermës së burrit, i ngjason gruas.” Abdullahu tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut. Pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut, hebrenjtë janë popull shpifës. Pyeti ata për mua, para se ta dinë se unë jam bërë musliman.” Kur hebrenjtë erdhën, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë burri është Abdullah ibn Selami në mesin tuaj?” Ata thanë: “Më i miri dhe biri i më të mirit ndër ne, si dhe më i vlefshmi dhe biri i më të vlefshmit ndër ne. Pejgamberi ﷺ u tha: “Po nëse Abdullah ibn Selami do ta pranonte Islamin?” Ata thanë: “Allahu e ruajttë nga kjo gjë!” Ai ua përsëriti këtë pyetje, e ata iu përgjigjën njëjtë. Atëherë Abdullahu doli para tyre dhe tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Ata thanë: “Ai është më i keqi dhe biri i më të keqit ndër ne”, - dhe filluan ta nënçmojnë. Abdullahu tha: “Kësaj i frikësohesha, o i Dërguari i Allahut.””