“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahimi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Omer ibn Usejd ibn Xharije Thekafiu, aleati i fisit benu zuhra dhe shok i Ebu Hurejrës, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi dhjetë persona në një ekspeditë vrojtuesish, në krye të të cilëve e caktoi Asim ibn Thabit Ensariun, gjyshin e Asim ibn Omer ibn Hatabit. Kështu, ata u nisën, por, kur arritën në Hedeh, vend mes Usfanit dhe Mekës, dikush ia përmendi këtë gjë një familjeje të hudhejlëve, që quheshin benu lihjanë, të cilët marshuan në drejtim të ekspeditës së Asimit, me rreth njëqind burra, që të gjithë shenjëtarë. Kështu, i përcollën gjurmët e tyre derisa arritën në vendin ku ata ishin ndalur për të ngrënë dhe gjetën mbetje të hurmave. Thanë: “Këto janë hurma të Jethribit (Medinës)”, dhe vazhduan t'i ndjekin gjurmët e tyre. Kur Asimi dhe shokët e tij i hetuan, u strehuan në një vend, ku armiqtë i rrethuan dhe u thanë: “Zbritni dhe dorëzoni ato që posedoni, ndërkohë ju japim besën dhe betohemi se s'do të vrasim asnjërin prej jush.” Asim ibn Thabiti u tha: “O ju njerëz, unë nuk pranoj të jem nën mbrojtjen e një jobesimtari.” Pastaj tha: “O Allah, lajmëroje të Dërguarin Tënd për ne.” Kështu, ata i sulmuan me shigjeta dhe e vranë Asimin. Ndërkaq, tre të tjerë, të cilët ishin: Hubejbi, Zejd ibn Dethini dhe një tjetër, u dorëzuan në besën dhe betimin e tyre. Kur i zunë, ua prenë litarët e harqeve dhe i lidhën me to. Personi i tretë tha: “Ky është fillimi i tradhtisë. Për Allahun, nuk do të vij me ju, sepse kam përvojë me këta”, - aludonte në vrasjen e pakmëparshme që ua bënë shokëve të tjerë. - E tërhoqën zvarrë dhe u munduan ta bindin që të vejë me ta, por ai refuzoi t'i shoqërojë (andaj e vranë). Kështu, e morën Hubejbin dhe Zejd ibn Dethinin e i shitën në Mekë, pas Luftës së Bedrit. Hubejbin e bleu familja e Harith ibn Amir ibn Neufelit, ndërsa Hubejbi tanimë e kishte vrarë Harith ibn Amirin ditën e Bedrit. Hubejbi qëndroi tek ata si rob lufte, derisa vendosën që ta vrasin. Ai kërkoi prej njërës nga vajzat e Harithit t'i huazojë një brisk për t'i rruar qimet e trupit (në pjesët e turpshme), e ajo ia dha. Një djalë i saj i vogël, teksa ajo ishte e shpërqendruar, shkoi te Hubejbi. Kur e pa të birin e saj në prehrin e tij, teksa ai po mbante briskun në dorë, ajo u tmerrua shumë, saqë këtë gjë Hubejbi e vërejti dhe tha: “Frikësohesh se do ta vras? Nuk do ta bëja kurrë.” Ajo thotë: “Betohem në Allahun se asnjëherë nuk kam parë rob lufte më të mirë se Hubejbin. Për Allahun, një ditë e kam parë të hajë rrush nga një kalavesh që e kishte në dorë, teksa ishte i lidhur me pranga hekuri, në një kohë kur s'kishte fruta në Mekë. Pra, ai ishte furnizim i Allahut për Hubejbin.” Kur e nxorën jashtë Haremit (kufirit të Mekës), për ta vrarë, Hubejbi u tha: “Më lejoni t'i fal dy rekate.” Ata e lejuan. Ai i fali dy rekate dhe tha: “Sikur të mos mendonit se kam frikë, do ta zgjasja edhe më shumë. O Allah, shkatërroji një nga një! Vriti ata copë-copë! Mos e lër (të gjallë) asnjë prej tyre!” Pastaj recitoi: "Përderisa vdes si musliman, jo s'mërzitem, se n'cilat troje, për Allahun, vritem e pritem. Këtë e bëj për Allahun, i Cili, kur dëshiron, edhe gjymtyrët e masakruara, Ai i bekon.” Pastaj Ebu Servea Ukbe ibn Harithi shkoi dhe e vrau. Hubejbi ishte i pari që filloi traditën e faljes së dy rekateve, për çdo musliman, para se të ekzekutohej. Atë ditë, Pejgamberi ﷺ i lajmëroi shokët e vet për lajmin e tyre. Kur disa jobesimtarë kurejshë morën vesh për vrasjen e Asimit, dërguan dikë t'u sjellë dëshmi për vdekjen e tij, sepse ai, ditën e Bedrit, kishte vrarë dikë prej parisë së kurejshëve. Por, Allahu dërgoi një grumbull grerëzash tek Asimi për ta mbrojtur kundrejt lajmëtarëve të kurejshëve, gjë që pamundësoi që Asimit t'i pritej ndonjë pjesë e trupit. Kab ibn Maliku ka thënë: “Murara ibn Rebi Amriun dhe Hilal ibn Umeje Vakifiun i kanë përmendur si burra të mirë, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në Bedër.””