“Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe tregon: “Abdullah ibn Utbe i shkroi Omer ibn Abdullah ibn Erkam Zuhriut që të shkojë te Subeja bint Harith Eslemiu dhe ta pyesë për përgjigjen e të Dërguarit të Allahut ﷺ për të cilën ajo e kishte pyetur. Atëherë Omer ibn Abdullah ibn Erkami i shkroi Abdullah ibn Utbes se Subeja bint Harithi kishte rrëfyer se ajo kishte qenë e martuar me Sad ibn Havlen, - një burrë nga fisi benu amir ibn luej dhe pjesëmarrës në Luftën e Bedrit. - Ai vdiq në Haxhin Lamtumirës, teksa ajo ishte shtatzënë. Nuk kaloi shumë nga vdekja e tij dhe ajo lindi. Pas mbarimit të lehonisë, u zbukurua për të interesuarit për fejesë. Ebu Senabil ibn Bakeku, - pjesëtar i fisit benu abdudar, - shkoi tek ajo dhe i tha: “Ç'është puna jote që po të shoh të zbukuruar për të interesuarit për fejesë? Dëshiron të martohesh? Betohem në Allahun se ti nuk ke të drejtë të martohesh pa kaluar katër muaj e dhjetë ditë.” Subeja thotë: “Pasi ma tha këtë, kur u bë mbrëmja, unë u vesha me rrobat e mia dhe shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e pyeta për këtë. Ai m'u përgjigj se unë jam liruar pasi kam lindur dhe më lejoi të martohem nëse kam dëshirë.” Transmetimin e Lejthiut e fuqizon Esbagu nga Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi. Lejthiu thotë: “Më ka treguar Junusi nga Ibn Shihabi se ka thënë: “E pyetëm atë e na tha: “Muhamed ibn Abdurrahman ibn Thevbani, i çrobëruari i fisit benu amir ibn luej, më ka rrëfyer se babai i Muhamed ibn Ijas ibn Bukejrit ka qenë pjesëmarrës në Bedër.””