“Ubejd ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Bedrit e takova Ubejde ibn Seid ibn Asin, të mbështjellë me rroba lufte, saqë i dukeshin vetëm sytë. Ai njihej me nofkën Ebu Dhat Kerishi, prandaj thoshte: “Unë jam Ebu Dhat Kerishi!” Kështu, e sulmova me shtizë dhe e godita në sy, nga e cila vdiq.” Hishami thotë: “Jam njoftuar se Zubejri ka thënë: “Më pas vendosa këmbën mbi të duke e kapur shtizën me dy duar dhe mezi e nxora, ndërsa maja i ishte lakuar.” Urve tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ia kërkoi Zubejrit shtizën në fjalë, e ai ia dha. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ vdiq, ai sërish e mori. Pastaj atë ia kërkoi Ebu Bekri, e ai ia dha. Kur vdiq Ebu Bekri, atë ia kërkoi Omeri, e ai ia dha. Kur vdiq Omeri, ai sërish e mori shtizën. Pastaj ia kërkoi Othmani, e ai ia dha. Kur u vra Othmani, ajo mbeti te familja e Aliut. Abdullah ibn Zubejri e kërkoi dhe ajo mbeti tek ai derisa u vra.””