“Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi. [t]: Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Anbese, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ali ibn Husejni, e këtij i ka treguar Husejn ibn Aliu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam pasur një deve, të cilën, ditën e Bedrit, e pata marrë nga pjesa ime e plaçkës së luftës. Pejgamberi ﷺ më pati dhënë nga një e pesta e plaçkës së luftës atë ditë. Kur desha të hyj dhëndër me Fatimen, të bijën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, porosita një argjendar nga fisi benu kajnuka që të vijë me mua për të mbledhur idhhir, të cilin doja t'ua shisja argjendarëve, ndërkohë me fitimin e saj të përgatitem për dasmë. Përderisa po tuboja ca gjëra për devetë: shalë, thasë dhe litarë, devetë i lashë të pushojnë në afërsi të shtëpisë së një ensariu. Kur i tubova gjërat e nevojshme, u ktheva, e në atë rast pashë devetë me gunga të këputura, me barqe të shqyera dhe pa mushkëri. Kur pashë këtë pamje, nuk arrita t'i mbaj lotët dhe thashë: “Kush e ka bërë këtë?” Më thanë: “Hamza ibn Abdulmutalibi, i cili ndodhet në këtë shtëpi duke pirë me disa ensarë, ku është dhe një këngëtare e disa shokë të tij. Ajo këndoi: “O Hamza me deve të shëndosha!” Atëherë ai brofi te shpata, ua këputi gungat deveve, ua shqeu barqet dhe ua mori mushkëritë.” Aliu tregon: “Unë ia beha drejt Pejgamberit ﷺ dhe hyra në shtëpinë e tij, ku e gjeta edhe Zejd ibn Harithen. Kur Pejgamberi ﷺ më pa, kuptoi se më kishte goditur diçka, andaj më tha: “Çfarë ke?” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, asnjëherë nuk kam parë diçka sikurse sot: Hamzai m'i ka sulmuar dy devetë, ua ka këputur gungat dhe ua ka shqyer barqet, ndërsa tani është në një shtëpi duke pirë me disa të tjerë.” Pejgamberi ﷺ kërkoi pelerinën e vet, e veshi dhe u nis, ndërsa unë dhe Zejd ibn Harithe e ndoqëm prapa. Vazhdoi të ecte derisa arriti në shtëpinë ku ndodhej Hamzai. Aty kërkoi leje dhe hyri. Atëherë, filloi ta qortojë Hamzain për atë që kishte bërë. Hamzai, të cilit i ishin skuqur sytë nga dehja, shikoi nga Pejgamberi ﷺ, pastaj e ngriti shikimin deri në gjunjë, pastaj deri në fytyrë dhe tha: “Vallë, mos jeni gjë tjetër përveçse robër të babait tim?” Atëherë Pejgamberi ﷺ kuptoi se ai ishte i dehur, kështu që u tërhoq mbrapa dhe u largua. Ne dolëm bashkë me të.””