“Othmani na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u fal, - Ibrahim Nehaiu thotë: “Shtoi ose la mangët diçka prej namazit, - dhe, pasi e kreu, dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A mos ka ndodhur ndonjë ndryshim përkitazi me namazin?” Ai tha: “Përse, vallë?” I thanë: “I fale kaq e kaq rekate. Ai u ul sërish dhe u drejtua nga kibla, i bëri dy sexhde dhe dha selam. Pasi u kthye nga ne, tha: “Sikur të kishte ndryshuar diçka e namazit, do t'ju kisha treguar, porse unë jam njeri sikurse ju, harroj siç harroni ju. E, nëse ndodh të harroj diçka, më tregoni. Në rast se dikujt prej jush i lindin dyshime në namaz (se ka shtuar ose ka lënë mangët diçka) , le të përpiqet të gjejë të saktën dhe le ta vazhdojë namazin me atë bindje. Pasi të japë selam, i bën dy sexhde.””