“Jusuf ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Ubejdullah ibn Musai, e ky nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “ I Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një grup ensarësh te hebreu Ebu Rafi dhe ua caktoi udhëheqës Abdullah ibn Atikun. Ebu Rafiu e ofendonte të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe i ndihmonte njerëzit kundër tij. Ai ishte në një kështjellë të tij në tokën e Hixhazit. Kur arritën afër tyre, dielli kishte perënduar, ndërsa njerëzit kishin shkuar të pushojnë. Abdullahu u tha shokëve të vet: “Rrini në vendet tuaja, sepse unë po shkoj fshehurazi nga roja e derës, mbase futem brenda.” Ai shkoi derisa u afrua te porta, pastaj u mbështoll me rrobën e tij, sikur po kryente nevojën, ndërkaq njerëzit ishin futur brenda. Atëherë roja e thirri: “O rob i Allahut, nëse do të hysh, futu, sepse do ta mbyll portën.” Abdullahu tregon: “Unë hyra dhe u fsheha e, pasi hynë të gjithë njerëzit, porta u mbyll. Pastaj roja i vari çelësat në një gozhdë. Shkova te çelësat, i mora dhe e hapa portën. Njerëzit rrinin natën në dhomën e tij për të biseduar. Teksa po qëndronte në një dhomë të veten dhe, kur njerëzit u larguan, unë u ngjita lart. Sa herë që hapja një derë, e mbyllja nga brenda. Thosha me vete: “Edhe nëse njerëzit më hetojnë, nuk mund të më arrijnë derisa ta vras atë.” Kur hyra brenda, e gjeta në një dhomë të errët me bashkëshortet e tij. Nuk dija në cilën anë të dhomës ishte, andaj thirra: “O Ebu Rafi!” - Kush është, - më pyeti. Atëherë ia mësyva nga vinte zëri dhe u mundova ta godas me shpatë, por isha i hutuar, andaj nuk arrita t'i bëj asgjë. Si rrjedhojë, ai bërtiti, kurse unë dola prej dhomës. Qëndrova afër, pastaj prapë hyra tek ai dhe i thashë: - Ç'është kjo britmë, o Ebu Rafi? - Mjerë nëna jote! Një njeri në shtëpi më goditi me shpatë, pak më parë. Atëherë prapë e godita me një goditje të fuqishme, por nuk e vrava. Pastaj e vendosa majën e shpatës në barkun e tij, saqë i doli nga shpina, atëherë kuptova se e vrava. Fillova t'i hap dyert një nga një, derisa arrita te shkallët dhe, duke menduar se kisha arritur në tokë, e vura këmbën dhe u rrëzova. Ishte një natë me hënë. E theva këmbën, porse e lidha me çallmë, pastaj shkova te porta dhe u ula e thashë me vete: “Nuk do të dal, pa e kuptuar nëse e kam vrarë apo jo.” Pasi gjeli këndoi, lajmëtari u ngrit mbi mur dhe thirri: “Po lajmëroj vdekjen e Ebu Rafiut, tregtarit të Hixhazit!” Atëherë shkova te shokët e mi dhe u thashë: “Të ikim shpejt, se Allahu e ka vrarë Ebu Rafiun.” Kur shkova te Pejgamberi ﷺ, i tregova, e ai më tha: “Shtrije këmbën.” Unë e shtriva dhe ai ma fërkoi, gjë me të cilën ajo u shërua sikur të mos kisha asgjë.””