“Ahmed ibn Othmani na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “ I Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi Abdullah ibn Atikun dhe Abdullah ibn Utben me disa të tjerë tek Ebu Rafiu. Ata shkuan dhe, kur iu afruan kështjellës, Abdullah ibn Atiku u tha atyre: “Rrini këtu, të shkoj të shoh.” Abdullahu rrëfen: “Unë shkova tinëzisht për të hyrë në kështjellë, por ata dolën me një dritë për të kërkuar një gomar të humbur dhe, nga frika se mos më njohin, e mbulova kokën dhe u ula sikur po kryeja nevojën.” Roja i portës thirri: “Kush do të hyjë, le të hyjë, para se ta mbyll portën!” Unë hyra brenda dhe u fsheha në torishtën e gomarit, te porta e kështjellës. Njerëzit hëngrën darkë tek Ebu Rafiu dhe biseduan, derisa kaloi një pjesë e natës. Pastaj u kthyen nëpër shtëpitë e tyre. Kur u ndalën zërat dhe nuk dëgjoja asnjë lëvizje, dola. E pata parë rojën e derës t'i vendosë çelësat e portës në një vrimë në mur, andaj i mora dhe e hapa portën e kështjellës. Thashë me vete: “Nëse më hetojnë njerëzit, do të largohem ngadalë.” Ua mësyva dyerve të shtëpive të tyre dhe i mbyllja nga jashtë. U ngjita shkallëve tek Ebu Rafiu, por shtëpia ishte e errët, sepse kandilat ishin fikur. Nuk dija ku ndodhej ai, prandaj thirra: “O Ebu Rafi!” Ai tha: “Kush është?” Atëherë shkova në drejtim të zërit të tij dhe e godita. Ai bërtiti, edhe pse nuk arrita t'i bëj asgjë. Pastaj sërish u ktheva sikur vajta për t'i ndihmuar dhe i thashë: “Çfarë ke, o Ebu Rafi?”, ndërkohë e kisha ndryshuar zërin. Ai tha: “Çfarë ke?! Mjerë nëna jote!” Një njeri erdhi dhe më goditi me shpatë. Unë prapë ia mësyva dhe e godita edhe një herë, mirëpo nuk i bëra asgjë. Ai bërtiti dhe familja e tij u zgjuan. Pastaj prapë i shkova dhe e ndryshova zërin, sikur po i ndihmoja, kur ja, ai ishte shtrirë në shpinë. Atëherë ia vendosa shpatën në bark, u mbështeta në të derisa e dëgjova zërin e eshtrave. Pastaj dola i hutuar, derisa arrita te shkallët. Doja të zbrisja, por rashë prej tyre dhe e përdrodha këmbën, prandaj u detyrova ta lidh. Shkova te shokët e mi duke çaluar dhe u thashë: “Shkoni dhe përgëzojeni të Dërguarin e Allahut ﷺ, ndërsa unë do të pres këtu derisa ta dëgjoj lajmëtarin (për vdekjen e tij).” Kur zbardhi mëngjesi, lajmëtari u ngrit dhe tha: “Po lajmëroj vdekjen e Ebu Rafiut!” Unë u ngrita dhe eca pa pasur dhimbje, saqë i arrita shokët e mi para se të shkonin te Pejgamberi ﷺ dhe e përgëzova për këtë.””