“Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Hamzai se Othman ibn Mevhebi tregon: “Një njeri (nga Egjipti) erdhi në haxh, ku pa disa njerëz ulur dhe pyeti: “Cilët janë këta njerëz të ulur?” - Kurejshët, - i tha dikush. - Kush është më i madhi prej tyre? - pyeti sërish. - Abdullah ibn Omeri, - iu përgjigjën. Atëherë shkoi tek ai dhe i tha: “Unë do të të pyes diçka, a më tregon: Po të përgjërohem me shenjtërinë e Qabesë, a e di se Othman ibn Afani ka ikur ditën e Uhudit?” - Po, - tha Ibn Omeri. - A e di se ai ka munguar ditën e Bedrit dhe nuk ka marrë pjesë në betejë? - pyeti ai. - Po, - Iu përgjigj Ibn Omeri. - A e di se ai ka munguar në besën e Ridvanit (Hudejbijes) dhe nuk ka qenë pjesëmarrës? - Po. - Allahu ekber! - thirri pyetësi. - Eja të të tregoj dhe të t'i shpjegoj këto për të cilat më pyete, - i tha Ibn Omeri. - Sa i përket ikjes së tij ditën e Uhudit, unë dëshmoj se Allahu ia ka falur atë. Ndërkaq, sa i përket mospranisë në Bedër, ka munguar sepse ishte i martuar me të bijën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e cila ishte e sëmurë rëndë. Pejgamberi ﷺ i pati thënë (Othmanit): “Ty të takon shpërblimi dhe plaçka e një burri pjesëmarrës në Bedër.” Sa i përket mungesës në besën e Ridvanit, sikur të ishte ndokush më meritor se Othman ibn Afani, në të gjithë Luginën e Mekës, atëherë Pejgamberi ﷺ do ta dërgonte atë në vend të tij, por e dërgoi Othmanin. Ndërkaq, Besatimi i Ridvanit ndodhi pas shkuarjes së Othmanit në Mekë (për të negociuar). I Dërguari i Allahut ﷺ, duke treguar dorën e tij të djathtë, tha: “Kjo është dora e Othmanit” , pastaj e shtrëngoi me dorën tjetër dhe tha: “Kjo është për Othmanin.” Merre këtë (përgjigje) me vete dhe shko tash.””