“Ebu Xhafer Muhamed ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Huxhejn ibn Muthena, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Abdullah ibn Ebu Seleme, e ky nga Abdullah ibn Fadli, e ky nga Sulejman ibn Jesari se Xhafer ibn Amër ibn Umeje Damriu tregon: “Unë së bashku me Ubejdullah ibn Adij ibn Hijarin u nisëm rrugës (për në Sham) dhe, kur arritëm në Homs, ai më tha: “A e takojmë Vahshiun, ta pyesim për vrasjen e Hamzait?” I thashë: “Po.” Vahshiu banonte në Homs, andaj pyetëm për të dhe dikush na tha: “Ja, është ai atje, në hijen e pallatit të tij.” Vahshiu ishte trupmadh. Shkuam afër tij, i dhamë selam dhe ai na e ktheu. Ubejdullahu ishte i mbështjellë me çallmën e tij, saqë Vahshiu ia shihte vetëm sytë dhe këmbët. Ubejdullahu i tha: “O Vahshi, a po më njeh?” Pasi e shikoi, tha: “Jo, për Allahun, përpos se e di se Adij ibn Hijari qe martuar me një grua, që i thoshin Umu Kital bint Ebu Isi. Ajo i lindi atij një djalë në Mekë, ndërkaq unë i kërkoja gjidhënëse. E pata bartur atë djalosh dhe nënën e tij, pastaj ia pata kthyer të birin. Më duket se këmbët e tua u ngjajnë këmbëve të atij (fëmije).” Atëherë Ubejdullahu e zbuloi fytyrën dhe tha: “A po na tregon për vrasjen e Hamzait?” - Po, - tha Vahshiu dhe vazhdoi: Ditën e Bedrit, Hamzai pati vrarë Tuajme ibn Adij ibn Hijarin. Zotëria im, Xhubejr ibn Mutëimi, më tha: “Nëse e vret Hamzain për xhaxhain tim, do të jesh i lirë.” Kur u nisën njerëzit në vitin e Ajnejnit, - që ishte një kodër përballë Uhudit dhe në mes tyre ishte një luginë, - edhe unë shkova me ta në luftë. Pasi u rreshtuan për luftë, doli Sibai (idhujtar) dhe tha: “A do dikush dyluftim?” Aty doli Hamza ibn Abdulmutalibi dhe i tha atij: “O Siba, o biri Umu Nemarit që priste lafshat e vaginave të femrave! Vallë, po e sfidon Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ?” Pastaj (gjatë dyluftimit) e sulmoi rëndë dhe e vrau. Unë iu fsheha Hamzait pas një shkëmbi, e, kur m'u afrua, e gjuajta me shtizë dhe e godita nën kërthizë, saqë i doli mbrapa. Ky ishte momenti i fundit i tij. Kur njerëzit u kthyen, unë u ktheva me ta. Qëndrova në Mekë, derisa u përhap Islami, pastaj shkova në Taif. Ata i dërguan të Dërguarit të Allahut ﷺ të deleguar. Thoshin se ai nuk i shqetëson delegatët, andaj shkova me ta derisa arrita tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Kur më pa, më tha: - “Ti je Vahshiu?” - Po, - i thashë. - “Ti e ke vrarë Hamzain?” - Ashtu është, siç të kanë treguar, - i thashë. - “A ke mundësi të mos më dalësh përpara?” - më tha Pejgamberi ﷺ. Atëherë u largova. Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ vdiq, u shfaq Musejleme Kedhabi, e unë thashë me vete: “Do të shkoj te Musejleme, ndoshta e vras atë dhe e shpaguaj vrasjen e Hamzait. Shkova në radhët e ushtrisë dhe ndodhi ajo që ndodhi. Aty pashë një burrë duke qëndruar në vendin ku ishte çarë muri, sikur të ishte deve e pluhurosur, me flokë të shprishur. Atëherë e gjuajta me shtizën time, saqë e godita në mes të gjoksit, derisa i doli në mes të shpatullave. Njëri nga ensarët shpejtoi tek ai dhe e goditi me shpatë në kokë.” Abdullah ibn Fadli ka thënë: Më ka rrëfyer Sulejman ibn Jesari se Abdullah ibn Omeri ka thënë: Një robëreshë, që qëndronte mbi çatinë e një shtëpie, tha: Oh, emiri i besimtarëve! E vrau robi i zi!”