“Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri i kërkoi leje Pejgamberit ﷺ që të bëjë hixhret, sepse ia kishin shtuar presionin. Mirëpo Pejgamberi ﷺ i tha: “Qëndro edhe pak!” - O i Dërguari i Allahut, a po shpreson se do të të lejohet edhe ty hixhreti? - pyeti Ebu Bekri. - “Po, këtë po shpresoj”, - ia ktheu i Dërguari i Allahut ﷺ. Teksa Ebu Bekri e priste, një ditë i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në mesditë dhe i tha: “Largoji njerëzit prej shtëpisë.” - O i Dërguari i Allahut, janë vetëm dy bijat e mia, - i tha Ebu Bekri. - “A ke dëgjuar se më është lejuar të shpërngulem?” - i tha Pejgamberi ﷺ. - Shoqërimi i shumëpritur, o i Dërguari i Allahut?! - “Po, shoqërimi me mua!” - O i Dërguari i Allahut, unë posedoj dy deve, të cilat i kam përgatitur për shpërngulje, - tha Ebu Bekri. Kështu, njërën, që quhej Xheda, ia dha Pejgamberit ﷺ. Ata u hipën deveve dhe shkuan te shpella e kodrës Theur, ku dhe u fshehën. Amir ibn Fuhejra ishte rob i Abdullah ibn Tufejl ibn Sahberës, - vëllait të Aishes nga nëna. Ebu Bekri kishte një deve që milej, të cilën Amiri e dërgonte mëngjes e mbrëmje tek ata. Natën e çonte, kurse në mëngjes kthehej dhe e lëshonte të kulloste. Kështu askush nga barinjtë nuk e hetonte. Kur ata dy u nisën për në Medinë, edhe ai u nis me ta, derisa arritën. Amir ibn Fuhejra ishte vrarë në ekspeditën e Pusit të Meunes. Ebu Usame transmeton nga Hisham ibn Urve se babai i tij i ka treguar se, kur i vranë muslimanët te Pusi i Meunes dhe Amër ibn Umeje Damriu u zu rob, Amir ibn Tufejli i tha: “Kush është ky?” - dhe bëri me shenjë nga një i vrarë. Amër ibn Umeje iu përgjigj: “Ky është Amir ibn Fuhejra.” Amir ibn Tufejli tha: “Pasi u vra, pashë se u ngrit deri në qiell, saqë unë shihja qiellin mes tij dhe tokës, pastaj u lëshua.” Kur Pejgamberit ﷺ i arriti lajmi për ta, u tregoi edhe të tjerëve dhe tha: “Shokët tuaj janë vrarë, ndërkaq ata e kanë lutur Zotin e tyre duke thënë: “O Zoti ynë, lajmëroji vëllezërit tanë që ne jemi të kënaqur me Ty dhe Ti je i kënaqur me ne!” Dhe Ai na lajmëroi për ta.” Atë ditë është vrarë Urve ibn Esma ibn Salti. Andaj Urve u emërtua me emrin e tij. Po ashtu është vrarë edhe Mundhir ibn Amri, andaj për shkak të tij u emërtua Mundhiri (vëllai tjetër i Urves).””