“Amër ibn Aliu më ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e këtij i ka rrëfyer Handhale ibn Ebu Sufjani, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Minai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Gjatë gërmimit të Hendekut, pashë se Pejgamberin ﷺ e kishte kapluar uri e madhe. Kështu, vajta te gruaja ime dhe i thashë: “A ke diçka (ushqim), sepse pashë se të Dërguarin e Allahut ﷺ e ka kapluar uri e madhe.” Ajo nxori një enë me një saë elb. Ne, po ashtu, kishim një kec shtëpiak, të cilin e thera, ndërsa gruaja e bloi elbin. Të dy bashkë mbaruam punët në të njëjtën kohë. Unë e copëtova mishin në tenxhere dhe gruaja më tha: “Mos më turpëro para të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe atyre që janë me të.” Më pas shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i fola fshehurazi: “O i Dërguari i Allahut, kemi therur një kec dhe kemi bluar një saë elb, andaj eja ti dhe merr me vete edhe disa të tjerë.” Aty Pejgamberi ﷺ thirri me zë të lartë: “O punëtorë të Hendekut! Xhabiri ka përgatitur ushqim, ejani të gjithë!” Ndërkaq, mua më tha: “Mos e largoni tenxheren (nga zjarri) dhe mos e piqni brumin derisa të vij unë.” Unë vajta te gruaja, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ u printe njerëzve. Ajo më tha: “Të gjettë kjo e ajo (solle shumë njerëz e ushqimi nuk mjafton)!” Unë i thashë: “Unë veprova ashtu si më the ti.” Ajo ia dha brumin Pejgamberit ﷺ, i cili pështyu në të dhe u lut për bereqet, pastaj ia mësyu tenxheres, ku, gjithashtu, pështyu dhe u lut për bereqet dhe tha: “Thirr dikë të të ndihmojë me bukët dhe nxirr mish prej tenxheres, por mos e largo nga zjarri.” Ata të gjithë, në total, qenë një mijë burra. Betohem në Allahun se hëngrën të gjithë, madje edhe lanë tepricë, pastaj shkuan. Tenxherja me mish vlonte dhe buka piqej siç kishin qenë më parë.””