“Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Ejmeni, e ky nga babai i tij se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Teksa po gërmonim kanalin ditën e Hendekut, na u paraqit një shkëmb i fortë. Ata shkuan te Pejgamberi ﷺ dhe i thanë: “Kemi hasur në një shkëmb të fortë në hendek.” Ai u tha: “Do të zbres unë (për ta thyer) .” Kështu, ai u ngrit, ndërkohë barkun e kishte të shtrënguar me gur. Kishim tri ditë pa futur gjë në gojë. Pejgamberi ﷺ e mori kazmën dhe e goditi shkëmbin, i cili u bë copë e grimë. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më jep leje të shkoj deri në shtëpi.” (Pasi shkova) i thashë gruas sime: “Pashë diçka te Pejgamberi ﷺ, saqë nuk mund të duroja më. A ke diçka (për ushqim)?” - Kam pak elb dhe një kec, - tha ajo. Pastaj unë e thera kecin, kurse ajo e bloi elbin. Mishin e vendosëm në kazan. Kur brumi tashmë kishte ardhur dhe mishi në kazan mes gurëve ishte gati të zihej, shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “Kam pak ushqim, eja ti dhe një a dy veta.” Më pyeti: “Sa ushqim ke?” Unë i tregova, e ai tha: “Shumë dhe mirë.” Pastaj më tha: “Thuaji gruas të mos e largojë kazanin nga zjarri e as bukën prej furrës, derisa të vete unë”, - pastaj u tha shokëve: “Ejani.” Muhaxhirët dhe ensarët u ngritën për të shkuar. Kur Xhabiri hyri te gruaja, i tha: “Mjerë ti! Po vjen Pejgamberi ﷺ me muhaxhirët, ensarët dhe gjithë të tjerët.” Ajo i tha: “A të ka pyetur?” - Po, - i tha Xhabiri. Atëherë Pejgamberi ﷺ u tha: “Hyni dhe mos u shtyni.” Pastaj filloi ta ndajë bukën e të vendosë mish në të. Sa herë që merrte diçka, e mbulonte kazanin dhe furrën. U jepte shokëve të vet një pjesë, pastaj prapë merrte. Kështu vazhdoi të ndante bukë dhe të merrte mish prej kazanit, derisa të gjithë u ngopën dhe teproi ushqim. Më pas i tha asaj: “Ha prej këtij ushqimi dhe shpërndaje, sepse njerëzit i ka goditur uri e madhe.””