“Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se ka luftuar së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ në Betejën e Nexhdit. Ata, me të arritur në një luginë që kishte shumë pemë, u ndalën për të pushuar. I Dërguari i Allahut ﷺ u strehua në hijen e një peme, ku njëherazi vari shpatën. Njerëzit u shpërndanë në hijet e pemëve. Teksa ishim në atë gjendje, papritmas, i Dërguari i Allahut ﷺ na thirri, sakaq ne shkuam. Kur, ja, para tij ishte ulur një beduin. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ky person më erdhi teksa unë po flija dhe ma mori shpatën fshehurazi. Kur u zgjova, ai qëndronte në këmbë mbi kokën time dhe në dorë kishte shpatën të nxjerrë prej këllëfit. Ai më tha: “Kush do të të shpëtojë prej meje?” Unë i thashë: “Allahu.” Atëherë ai e futi shpatën në këllëf dhe u ul. Ky është ai.” I Dërguari i Allahut ﷺ nuk e dënoi.”