“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, Seid ibn Musejebi, Alkame ibn Vekasi dhe Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi, e ky nga Aishja, gruaja e Pejgamberit ﷺ, e cila tregon ndodhinë kur shpifësit patën shpifur për të. Zuhriu ka thënë: Të gjithë transmetuesit ma kanë treguar nga një pjesë të hadithit, disa prej të cilëve e kishin kuptuar më mirë se të tjerët dhe e tregonin në mënyrë më të përpiktë, ndërkaq prej secilit prej tyre e kam kuptuar mirë pjesën e hadithit që ma ka treguar nga Aishja, ndërkohë disa pjesë të hadithit i vërtetonin pjesët e tjera, ndonëse disa prej të tyre e kishin kuptuar më mirë se të tjerët. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sa herë që i Dërguari i Allahut ﷺ donte të nisej për udhëtim, hidhte short ndërmjet grave të tij dhe merrte me vete atë së cilës i binte shorti. Kur doli për një betejë, hodhi short mes nesh dhe shorti më ra mua. Kështu, u nisa bashkë me të në kohën kur Allahu e kishte urdhëruar mbulesën për gratë. Mua më hipnin në deve dhe më zbrisnin me gjithë kabinë. Kështu, ne ecëm derisa i Dërguari i Allahut ﷺ mbaroi betejën dhe u kthyem për në shtëpi. Ndërsa iu afruam Medinës, i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëroi të niseshim natën. Kur u dha urdhri për t'u nisur, unë, për nevojë fiziologjike, u largova nga vendi ku ishte vendosur ushtria. Pasi mbarova dhe u ktheva te karvani për t'u nisur, papritur e preka gjoksin dhe vura re se gjerdani im jemenas më ishte këputur, kështu që u ktheva për ta kërkuar, gjë për të cilën u vonova. Njerëzit, që më ndihmonin për të hipur në deve, e morën kaibnën dhe e vunë sipër devesë me të cilën udhëtoja, duke menduar se isha brenda. Atëkohë gratë ishin të lehta e jo të shëndosha, sepse hanin pak, kështu që ata nuk e kishin ndier shumë ndryshimin e peshës së kabinës . E morën atë dhe e vendosën në deve, ndërkohë unë isha shumë e re. Kështu, ata e ngritën devenë dhe u nisën. Unë e gjeta gjerdanin pasi ushtria kishte ikur. Kur u ktheva aty, nuk gjeta askënd, kështu që shkova te vendi im, ku isha më parë, duke menduar se ata do ta vërenin mungesën time dhe do të ktheheshin prapë që të më kërkonin. Në këtë gjendje më mori gjumi dhe fjeta. Safvan ibn Muatil Sulemi Dhekvani ishte pas ushtrisë dhe, në mëngjes, erdhi në vendin ku isha unë. Kur pa hijen e një njeriu që flinte, erdhi drejt meje. Ai më njohu, sepse më kishte parë edhe para se të obligohej mbulesa për gratë. Kështu, kur dëgjova atë të thotë: “Ina lilahi ve ina ilejhi raxhiun (Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!)”, unë u ngrita dhe e mbulova fytyrën me xhilbabin tim. Për Allahun, nuk kemi folur asnjë fjalë dhe nuk kam dëgjuar prej tij asnjë fjalë tjetër përveç: “Ina lilahi ve ina ilejhi raxhiun.” Ai e uli devenë e tij, zbriti prej saj dhe e vendosi këmbën mbi këmbët e para të devesë. Unë hipa në të, ndërsa Safvani u nis në këmbë duke tërhequr devenë për litari. Ecëm derisa arritëm ushtrinë, e cila ishte ndalur për të pushuar në mesditë. Atëherë, disa ranë në sprovë dhe u shkatërruan (duke shpifur për nderin e Aishes), ndërsa prijësi i shpifësve ishte Abdullah ibn Ubej ibn Seluli (prijësi i hipokritëve në Medinë). Urve ka thënë: “Kjo shpifje përhapej dhe përflitej në prani të tij (Abdullah ibn Ubej ibn Selulit), ndërsa ai e aprovonte, e dëgjonte dhe e përhapte atë. Në mesin e atyre që shpifën nuk është përmendur askush përveç Hasan ibn Thabitit, Mistah ibn Uthathes, Hamne bint Xhahshit dhe disa të tjerëve, për të cilët nuk di, por ata ishin një grup, siç ka përmendur Allahu i Madhëruar. Kryesori i kësaj ishte Abdullah ibn Ubej ibn Seluli. Aishja e urrente të shahej Hasani në prani të saj dhe thoshte për Hasanin: “Ai e ka thënë këtë poezi: "Babai im, gjyshi im dhe nderi im, Për nderin e Muhamedit janë mburojë.” Pasi arritëm në Medinë, unë u sëmura një muaj, ndërkohë njerëzit po përhapnin fjalët e shpifësve, e unë nuk dija asgjë. Gjatë kohës sa isha e sëmurë, fakti se nuk shihja prej Pejgamberit ﷺ butësinë e tij të zakonshme, gjë të cilën e shprehte kur sëmuresha, më bëri të dyshoja. Ndërkohë, ai vinte, përshëndeste dhe më thoshte: “Si jeni ju?” Pastaj dilte, e kjo më bënte të dyshoja, porse nuk dija asgjë ç'po ndodhte. Pasi u shërova, dola me Umu Mistahun në Menasi, vend ku dilnim për nevojë fiziologjike. Atëkohë për nevojë dilnim vetëm natën dhe kjo para se t'i kishim nevojtoret afër shtëpive. Kështu ishte zakoni, siç vepronin arabët më parë, nevojën e kryenin në vend të hapur ose larg shtëpive. Ndërkaq, nevojtoret afër shtëpive na bezdisnin. Andaj, shkuam me Umu Mistahun, e cila ishte e bija e Ebu Ruhm ibn Mutalib ibn Abdumenafit, kurse nëna e saj ishte e bija e Sahr ibn Amirit, tezja e Ebu Bekër Sidikut. I biri i saj ishte Mistah ibn Uthathe ibn Abad ibn Mutalibi. Pasi e kryem punën tonë, u kthyem për në shtëpi dhe, duke ecur, Umu Mistahu u pengua me pelerinën e saj dhe tha: “Qafën e theftë Mistahu!” Unë i thashë: “Ç'fjalë të keqe po thua?! Si fyen dikë që ka marrë pjesë në Luftën e Bedrit?” Ajo tha: “Moj, ti! A nuk paske dëgjuar çfarë ka thënë (për ty)?!” - Çfarë paska thënë?! - e pyeta. Më pas, ajo më tregoi thashethemet e shpifësve. Mua m'u shtua e m'u rëndua sëmundja dhe, kur u ktheva në shtëpi, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë. Pasi përshëndeti, pyeti: “Si jeni ju?” Unë i kërkova që të më lejonte të shkoja te prindërit e mi. Doja që të sigurohesha prej tyre për lajmet e përhapura. I Dërguari i Allahut ﷺ më lejoi (dhe unë shkova te prindërit). Menjëherë pyeta nënën time: “Oj nëna ime, çfarë po përflasin njerëzit?” Ajo më tha: “Oj bija ime! Mos u shqetëso shumë për këtë, për Allahun! Nuk ka grua të shkëlqyer e joshëse që e do shumë burri i saj, i cili ka edhe gra të tjera, që ato të mos trillojnë për të.” Thashë: “Subhanallah! Këso thashethemesh folkan njerëzit?!” Atë natë qava deri në agim dhe nuk vura gjumë në sy dhe vazhdova të qaj. Kur pa se iu vonua shpallja, i Dërguari i Allahut ﷺ thirri Ali ibn Ebu Talibin dhe Usame ibn Zejdin, për t'i pyetur dhe për t'u këshilluar me ta për t'u ndarë nga unë. Usame i tregoi atë që dinte për pafajësinë time dhe shtoi: “Mbaje gruan tënde pasi ne dimë vetëm fjalë të mira për të!” Ndërkaq, Aliu i tha: “O i Dërguari i Allahut, ty Allahu nuk të ka vënë kufizime, ka edhe shumë gra të tjera krahas saj, megjithatë kërkoji shërbëtores të ta thotë të vërtetën.” Nga kjo i Dërguari i Allahut ﷺ thirri Berirën dhe e pyeti: “Oj Berirë! A ke parë ndonjëherë diçka tek ajo, që të ngjall dyshime për të?” Berira i tha: “Jo. Betohem në Allahun, i Cili të ka dërguar me të vërtetën, se unë kurrë nuk kam parë tek ajo ndonjë gjë të keqe a të gabuar, përveç faktit se ajo është vajzë shumë e re dhe, kur fle, harron dhe e lë brumin pa kujdes, kështu që vijnë dhe e hanë delet.” Atë ditë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngjit në minber dhe kërkoi që dikush ta mbështeste për të ndëshkuar Abdullah ibn Ubej ibn Selulin. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O ju muslimanë! Kush më mbështet të hakmerrem ndaj atij që më ka prekur në nder të familjes? Betohem në Allahun, se unë di vetëm të mira për familjen time, si dhe është akuzuar një burrë për të cilin unë di vetëm të mira, i cili kurrë nuk ka hyrë në shtëpinë time pa mua.” Sad ibn Muadhi, - vëllai i benu abduleshhelëve, - u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë të mbështes: në qoftë se ai njeri është nga fisi eus, atëherë unë do t'ia heq kokën, e, nëse është nga vëllezërit tanë, nga fisi hazrexh, na urdhëro, e ne do ta përmbushim urdhrin tënd.” Pastaj u ngrit një pjesëtar i fisit hazrexh, - vajza e axhës së të cilit ishte nëna e Hasanit, pra, Sad ibn Ubade, kreu i fisit hazrexh, i cili ishte burrë i mirë, por, i shtyrë (në atë moment) nga fanatizmi fisnor, - i tha Sad ibn Muadhit: “Po gabohesh! Betohem në Allahun se ti nuk e vret dot atë dhe nuk do të mund ta vrasësh! Sikur të ishte prej fisit tënd, nuk do të doje të vritej.” Pas tij, Usejd ibn Hudajri, - djali i axhës së Sad ibn Muadhit, - u ngrit dhe i tha Sad ibn Ubades: “Gabohesh, për Allahun! Betohem në Allahun se do ta vrasim. Ti je hipokrit, që mbron hipokritët.” Për këtë, dy fiset eus dhe hazrexh u acaruan shumë dhe ishin gati të luftonin kundër njëri-tjetrit, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ po qëndronte në minber. Ai zbriti dhe i qetësoi, derisa ata u ndalën dhe ai ra në heshtje. Aishja vazhdon: “Gjithë atë ditë qava pa ndalur dhe pa futur gjumë në sy. Në mëngjes prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë një ditë e dy net pa ndalur dhe pa vënë gjumë në sy, saqë m'u duk se nga të qarët do të më pëlcasë mëlçia. Ndërkohë, teksa po qaja dhe të dy prindërit ishin ulur afër meje, një grua ensare më kërkoi leje për të hyrë dhe unë e lejova. Ajo u ul dhe filloi të qajë me mua. Duke qenë në këtë gjendje, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi, dha selam dhe u ul. Ai nuk ishte ulur afër meje që nga dita kur ata kishin trilluar. Kaloi një muaj dhe asnjë shpallje nuk i zbriti për çështjen time. Ai e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas; Oj Aishe! Për ty më kanë thënë këso e aso fjalësh. Në qoftë se ti je e pafajshme, atëherë Allahu së shpejti do ta shpallë pastërtinë tënde, por, në qoftë se ke bërë gjynah, atëherë lute Allahun të të falë dhe pendohu tek Ai, sepse, kur robi (njeriu) pranon fajin e bërë dhe i lutet Allahut për falje, Allahu ia pranon pendimin.” Kur i Dërguari i Allahut ﷺ mbaroi fjalët, mua m'u shterën lotët dhe nuk më mbeti lot në sy. Babait tim i thashë: “Përgjigjju të Dërguarit të Allahut ﷺ!”, por ai më tha: “Për Allahun, nuk di ç't'i them të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Pastaj i thashë nënës: “Përgjigjju ti të Dërguarit të Allahut ﷺ për mua!”, por edhe ajo më tha: “Për Allahun, nuk di ç't'i them të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Ndërkaq, unë isha e re dhe nuk kisha shumë dije nga Kurani. Thashë: “Për Allahun, tani e di se ju keni dëgjuar ç'po thonë njerëzit dhe tanimë ajo është ngulitur te ju, saqë e keni marrë për të vërtetë. Tani, nëse unë ju them juve se jam e pastër, ju nuk do të më besoni. Në qoftë se unë pranoj diçka, ndërkohë Allahu e di se jam e pastër dhe e pafajshme, atëherë ju do të më besoni. Për Allahun, unë nuk gjej dot për ju dhe për mua shembull tjetër, përveçse atë të babait të Jusufit ﷺ, i cili ka thënë: “Por, durim! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju.” (Jusuf, 18) Pastaj, u ktheva, siç isha në shtrat, në anën tjetër. Allahu e dinte se unë isha e pafajshme dhe shpresoja se Ai do ta aprovonte pafajësinë time. Por, për Allahun, kurrë nuk kisha menduar se Allahu do të zbriste, për çështjen time, shpallje që lexohet, pasi që nuk e llogarisja veten të denjë që Allahu të fliste diçka për mua. Thjesht shpresoja se i Dërguari i Allahut ﷺ me gjasë do të shihte ndonjë ëndërr, përmes së cilës Allahu do të qartësonte pafajësinë dhe dëlirësinë time. Për Allahun, pa u ngritur i Dërguari i Allahut ﷺ nga vendi ku ishte dhe pa dalë askush nga dhoma, atij i erdhi shpallja! Kështu, atë e kaploi ajo gjendja e zakonshme, siç e kaplonte (çdoherë kur i zbriste shpallja). Prej peshës së Fjalës (Kuranit) që i zbriste, ai djersiste aq shumë, saqë pikat e djersës i kullonin si perla, edhe pse ishte ditë e ftohtë dimri. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u kthjellua nga ajo gjendje, duke qeshur, fjalën e parë që foli, më tha mua: “Oj Aishe! Allahu tashmë ka shpallur pafajësinë dhe dëlirësinë tënde!” Nëna ime më tha që të afrohesha tek i Dërguari i Allahut ﷺ, por unë i thashë: “Jo, për Allahun! Nuk do t'i afrohem dhe nuk falënderoj askënd tjetër përveç Allahut.” Kështu, Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “Pa dyshim se ata që shpifën janë një grup nga mesi juaj...” (Nur, 11) dhjetë ajetet. Kur Allahu zbriti këtë shpallje për pafajësinë dhe dëlirësinë time, Ebu Bekër Sidiku, që gjithnjë e kishte ndihmuar me bamirësi Mistah ibn Uthathen, ngaqë e kishte të afërm dhe ishte i varfër, tha: “Betohem në Allahun se më nuk do t'i jap asgjë Mistahut, për shkak të asaj që ka thënë për Aishen.” Por, më vonë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t'i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që Allahu t'ju falë? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nur, 22) Pas kësaj, Ebu Bekri tha: “Po! Betohem në Allahun se unë dua që Allahu të më falë!” - dhe zuri ta ndihmojë përsëri Mistahun, të cilin e kishte ndihmuar vazhdimisht në të shkuarën dhe tha: “Për Allahun, kurrë nuk do ta ndal ndihmën për të.” Aishja pastaj shton: “Ndërkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ kishte pyetur edhe Zejnebe bint Xhahshin (bashkëshorten e vet) për mua duke i thënë: “Çfarë di dhe çfarë ke parë?” Ajo i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, po e ruaj dëgjimin dhe shikimin tim. Betohem në Allahun se unë (për Aishen) di vetëm të mira.” Asokohe Zejnebja ishte rivalja ime (për bukuri dhe për dashurinë e Pejgamberit ﷺ) në mesin e grave të tij, megjithatë Allahu e ruajti atë me devotshmëri (nga mëria dhe ligësia), ndërsa motra e saj Himne luftonte për të (Zejneben), kështu që u shkatërrua së bashku me shpifësit. Ibn Shihabi ka thënë: “Kjo është ajo që më ka arritur nga hadithi i disa personave, ndër të cilët Urve tregon: “Aishja ka thënë: “Për Allahun, ai burri për të cilin përflitej (Safvani), thoshte: “Subhanallah! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se unë asnjëherë nuk kam zbuluar shpatull femre.” Ajo tha: “Ai më pas u vra në rrugën e Allahut.””