“Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Ismaili, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur shkuam në Hajber me Pejgamberin ﷺ, ecëm gjatë natës. Dikush i tha Amirit: “O Amir, a po na reciton diçka nga poezitë e tua?” Amiri ishte poet, andaj filloi të recitojë poezi në prani të njerëzve, duke thënë: "O Allah, pa Ty ne nuk do të udhëzoheshim, S'do të jepnim lëmoshë, as do të faleshim. Falna sa të jemi gjallë, për Ty u flijofshim, Dhe na forco këmbët, në u ballafaqofshim! Qetësinë zbrite të na mbulojë, Nëse thirremi (për luftë) nxitojmë, Edhe nëse me britma na ftojnë.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush është ky ngasës? ” - Amir ibn Ekvai, - i thanë. - “Allahu e mëshiroftë!” - tha Pejgamberi ﷺ. Një njeri tha: “O i Dërguari i Allahut, iu bë obligim Xheneti (me këto që the). Sikur të kënaqeshim edhe pak me të?” Shkuam në Hajber dhe i rrethuam. Ashtu qëndruam derisa na goditi një uri e madhe, e në atë rast Allahu na e çliroi Hajberin. Me t'u ngrysur, në mbrëmjen e po së njëjtës ditë, njerëzit ndezën shumë zjarre. Atëherë Pejgamberi ﷺ pyeti: - “Ç'janë këto zjarre? Përse i keni ndezur?” - Po zjejmë mish, - i thanë. - “Çfarë mishi?” - Mish gomarësh. - “Derdhini dhe thyejini enët!” - O i Dërguari i Allahut, a mund t'i derdhim dhe t'i pastrojmë (në vend se t'i thyejmë)? - pyeti dikush. - “Bën edhe ashtu!” - i tha Pejgamberi ﷺ. Pastaj, njerëzit u rreshtuan (për luftë). Amiri kishte një shpatë të shkurtër, me të cilën ia mësyu një hebreu për ta goditur, e në atë rast iu kthye tehu i shpatës dhe e goditi Amirin në gju, plagë kjo prej së cilës Amiri vdiq. Seleme vazhdon: “Kur u nisëm për t'u kthyer, i Dërguari i Allahut ﷺ më pa, më mori për dore dhe më tha: - “Çfarë ke?” - Kurban t'u bëfsha me babë e nënë! Disa po pretendojnë se Amirit i janë shkatërruar veprat, - i thashë. - “Ka gënjyer kush thotë ashtu! - dhe, duke i bashkuar dy gishtat, tha: - Në të vërtetë, ai i ka dy shpërblime: ka qenë i zellshëm dhe luftëtar. Të rrallë janë arabët që kanë ecur mbi tokë sikurse ai”, - tha Pejgamberi ﷺ. Kutejbe na ka thënë: “Na ka treguar Hatimi se (Pejgamberi ﷺ) ka thënë: “... që kanë jetuar mbi tokë.””