“Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ, në një nga betejat e tij, u ndesh dhe luftoi me idhujtarët. Më pas, të dy palët u kthyen në tendat e tyre. Në mesin e muslimanëve ishte një burrë, të cilit nuk i shpëtonte asnjë idhujtar pa iu vërsulur me shpatë. Dikush tha: “O i Dërguari i Allahut! Sot, në mesin tonë, nuk pati më trim se filani.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ai është banor i Zjarrit.” Njëri tha: “Unë do ta vëzhgoj.” Kështu, kur ai shpejtonte ose ndalej, unë isha pas tij, derisa u plagos rëndë. Atëherë e përshpejtoi vdekjen duke e vendosur dorezën e shpatës në tokë, ndërsa majën në gjoks, u lëshua mbi të dhe e vrau veten. Vëzhguesi në fjalë shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Përse, çfarë ndodhi?” Atëherë ai e informoi për rastin. Pejgamberi ﷺ tha: “Ka raste kur ndokush, në sy të njerëzve, punon vepra të banorëve të Xhenetit, porse në realitet ai është banor i Zjarrit. Po ashtu, ka raste kur ndokush, në sy të njerëzve, punon vepra të banorëve të Zjarrit, porse në realitet është banor i Xhenetit.””