“Muhamed ibn Alai më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Jezid ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur na erdhi lajmi se Pejgamberi ﷺ ishte paraqitur (si pejgamber), ne ishim në Jemen. Kështu, u nisëm për të mërguar tek ai. Unë së bashku me dy vëllezërit e mi: Ebu Burden dhe Ebu Ruhmin, prej të cilëve unë isha më i riu, ishim në mesin e pesëdhjetë e dy-tre burrave nga fisi im. Kështu, i hipëm anijes, e cila na dërgoi te Nexhashiu në Abisini. Aty e takuam Xhafer ibn Ebu Talibin dhe qëndruam me të, derisa të gjithë u shpërngulëm së bashku (për në Medinë). Atje arritëm në kohën kur Pejgamberi ﷺ e kishte çliruar Hajberin. Disa njerëz na thoshin neve udhëtarëve të anijes: “Ne ju kemi paraprirë me hixhret.” Një ditë, Esma bint Umejsi, e cila kishte ardhur me ne, shkoi te Hafsa, gruaja e Pejgamberit ﷺ, për vizitë. Ajo ka qenë nga muhaxhirët që qenë shpërngulur te Nexhashiu. Teksa Esma po qëndronte me Hafsën, hyri Omeri dhe, me ta parë Esmën, pyeti: - Kush është kjo? - Esma bint Umejsi, - tha Hafsa. - Ajo e Abisinisë? Ajo e detit? - pyeti Omeri. - Po, - tha Esma. - Ne ju kemi paraprirë me hixhret, ne jemi më meritorë për të Dërguarin e Allahut ﷺ se ju, - i tha Omeri. Atëherë ajo u zemërua dhe tha: “Kurrsesi! Për Allahun, ju ishit me të Dërguarin e Allahut ﷺ, i cili e ushqente të uriturin dhe e këshillonte injorantin tuaj, ndërsa ne ishim në vendin a tokën e njerëzve që ishin larg fesë dhe na urrenin, në Abisini. Tërë kjo ka qenë për Allahun dhe për të Dërguarin e Tij ﷺ. Për Allahun, as do të ha, as do të pi, derisa të mos ia tregoj të Dërguarit të Allahut ﷺ këtë që the, se ne ishim të persekutuar dhe të frikësuar. Andaj, do t'ia tregoj këtë Pejgamberit ﷺ dhe vetë unë do ta pyes atë. Për Allahun, nuk do të gënjej, nuk do të shtrembëroj dhe nuk do të shtoj asgjë.””